Aksident në aksin Lushnjë–Berat, plagosen rëndë çifti i bashkëshortëve

Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë këtë të diel (14 dhjetor) në Lushnjë, si pasojë e një aksidenti. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00, në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Çukas, ku automjeti me të cilin po udhëtonin dy personat, bashkëshortë, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal anësor.
Sipas të dhënave paraprake, shoferi ka hasur një defekt në sistemin e drejtimit. Dyshohet se timoni është bllokuar papritur, duke bërë që makina të humbasë kontrollin dhe të përfundojë jashtë rruge.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, për shkak të gjendjes së rënduar, ata janë dërguar drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
/rtsh.al/