Aksident në aksin Tepelenë–Krahës, përplasen dy mjete, tetë persona mbeten të lënduar

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e tetë personave ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional “Tepelenë–Krahës”.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30, në vendin e quajtur “Iliras”. Në aksident janë përfshirë një automjet i drejtuar nga një shtetas i huaj dhe një tjetër mjet me drejtuese një shtetase nga Tirana.
Policia e Shtetit bëri të ditur detajet e para mbi mjetet dhe personat e përfshirë:
“Automjeti me drejtues shtetasin indian Sh. P., 27 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen L. B., 42 vjeçe, banuese në Tiranë. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 6 pasagjerë.”
Të tetë të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Gjirokastrës. Burimet mjekësore bëjnë me dije se fatmirësisht personat kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e quajtur “Iliras” dhe po kryen matjet e nevojshme për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Pritet raporti përfundimtar i ekspertëve rrugorë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
/rtsh.al/