E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, 10 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit

Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur në tre aksidente të ndryshme ndodhur 24 orët e fundit në rrugët e vendit, ku për fat nuk janë shënuar viktima.

Pukë-Fushë Arrëz
Dy persona janë plagosur në orët e mbrëmjes së djeshme si pasojë e një aksidenti automobilistik në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz. Të lënduarit kanë qenë duke udhëtuar në një autoveturë Opel me targa të Elbasanit 9206, dhe pak kilometra larg qyteti të Pukës, nga humbja e kontrollit të drejtimit janë përplasur me pjesët anësore të rrugës.
Policia e mbërritur në vendngjarje ka mundësuar transportimin e të plagosurve, shtetasve Pakush Tuçi dhe Ardian Jonuzi. Nga të dhënat paraprake që ofrohen nga policia, si shkak më i mundshëm i këtij aksidenti mendohet të ketë qenë gjendja jo e mirë teknike e mjetit me të cilin udhëtonin këto dy shtetas

Kukës
Aksidenti tjetër ka ndodhur gjatë natës në afërsi të doganës së Morinit të rrethit të Kukësit kur një automjet tip Opel Vetra me targa të Kosovës është përplasur me një makinë asfaltimi duke shkaktuar plagosjen e rëndë të 4 personave. "Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22 të natës së kaluar kur një mjet me targa të Kosovës është përplasur me një makinë asfaltimi duke u shkatërruar thuajse plotësisht",- tha zëdhënësja e drejtorisë së policisë së qarkut Irena Laknori. Sipas saj si pasojë janë plagosur shtetasit Shukkri Gashi, 38 vjec, Shyrete Gashi 37 vjeç si dhe dy fëmijët e tyre të mitur.

Tropojë
Po gjatë natës një tjetër aksident me katër të plagosur ka ndodhur në afërsi të fshatit Sopot të rrethit të Tropojës. Sipas policisë si rrjedhojë e përplasjes së dy mjeteve në afërsi të fshatit Sopot të rrethit të Tropojës janë plagosur rëndë shtetasit Nushe Kovacica, 65-vjeç, Sadri Kërtoci 59-vjeç, Admir Kërtoci 28 vjeç dhe Agrim Kërtoci 26-vjeç. Të njëjtat burime saktësuan se, të plagosurit pas marrjes së ndihmës mjekësore në spitalin civil të qytetit të Bajram Currit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, sipas hetimeve paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga të dy mjetet.

********
13gusht
Aksidenti, dy të vdekur në Lezhë-Shkodër

LEZHË- Një aksident me pasojë vdekjen e dy personave ndodhi dje në kryqëzimin e Gjadrit rreth orës 18:30. Një automjet tip BMV me targa të huaja ka goditur nga pas një kamion duke bërë që të dyja automjetet të dilnin jashtë rruge, kamioni në të djathtë, ndërsa BMV-ja në të majtë. Kjo e fundit ka përfunduar rreth 20 metra më larg se vendi i përplasjes, çka ka bërë që të vdesin të dy personat që ndodheshin në mjet. Edmond Smaçi dhe Nikollë Nikolli po ktheheshin nga një dasmë kur u aksidentuan me vdekje.
Dyshohet se shoferi kishte konsumuar alkool gjatë dasmës, çka ka çuar edhe në humbjen e kontrollit të mjetit.

Pas hetimeve paraprake, nga ana e policisë rrugore u bë e ditur se drejtuesi i automjetit ka tentuar të parakalojë, por ka gabuar në veprime e si rrjedhojë ka goditur nga pas një kamion tip "Benz" që udhëtonte drejt Shkodrës. Automjeti BMV ishte me targa të huaja dhe viktimat mësohet se ishin emigrantë e ishin kthyer për të marrë pjesë në dasmën e shokut të tyre. Nikollë Nikolli bëhet e ditur se ishte nga Rrësheni, ndërsa Edmond Smaçi nga Durrësi.

********

Aksidentet, policia arreston dy autorët

KAVAJE- Policia e Kavajës arrestoi dy personat e dyshuar si shkakëtarë për dy aksidentet rrugore, me pasojë vdekje që ndodhën një ditë më parë në këtë rreth.
Burime nga policia lokale bënë të ditur sot se shërbimet e policisë rrugore arrestuan shtetasin Idajet Patoshi, 44 - vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Patoshi, duke qarkulluar në krah të kundërt në segmentin rrugor Kavajë - Durrës, në afërsi të fshatit Qerret, me automjetin tip kamion Man, u përplas me një automjet tip Golf.
Për pasojë gjetën vdekjen tre nga katër personat që udhëtonin me mjetin "Golf", Çelnik Dashi, Fatjona Alliu, dhe shtetasia Gëzime Alliu, me banim në Librazhd. Ndërsa, Fatmir Alliu, 58 vjeç, pësoi dëmtime të rënda në trup dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Po nga shërbimet e policisë rrugore në Kavajë u arrestua për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" shtetasin Besmir Biba, 23 - vjec, lindur dhe banues në Lezhë.
Bëhet e ditur se, 23 vjeçari, duke qarkulluar në aksin rrugor Rrogozhinë - Durrës, me një automjet tip Rover, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe duke dalë në krahun e kundërt të rrugës u përplas me një automjet tip Benz, drejtuar nga shtetasi Edmond Haka, 21-vjeç.
Si pasojë, gjeti vdekjen shtetasi Amarildo Lleshi, 21 - vjec, banues në Kavajë, i cili ndodhej pasagjer në automjetin tip Benz ndërsa u dëmtua shtetasi Gëzim Merkja, 22 - vjec, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çështjet ndaj këtyre personave, sipas burimeve policore, i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së Kavajes.

Aksidentet, 5 të vdekur në Fier e Kavajë

Aksidentet kanë marrë sërish jetë njerëzish. Pesë të vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i 24 orëve të kaluar në tri aksidente të ndodhur në qytetin e Fierit dhe në Kavajës. Shkak për ngjarjet dyshohet të ketë qenë shpejtësia e automjeteve, mungesa e ndriçimit në rrugë, si dhe pakujdesia, ndërkohë që viktimat në Fier, në të dy aksidentet e ndodhura kanë qenë babë e bir. Ndërkohë, në aksidentin e ndodhur në Kavajë me tre viktima, vetëm dy prej tyre ishin identifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Aksidentet në Fier
Ka qenë ora rreth 23:30 e mbrëmjes së të martës kur në afërsi të Qenasit, rreth 2 kilometra nga qyteti i Fierit, automjeti i drejtuar nga Xhevit Arapi është përplasur me një bordurë betoni dhe më pas ka përfunduar në një kanal. Shkak për humbjen e kontrollit të automjetit mësohet të ketë qenë dalja para "Benz"-it e një biçiklete. Për shkak të mungesës së ndriçimit në rrugë, biçikleta është parë nga drejtuesi vetëm në sekondat e fundit. Duke dashur të evitojë përplasjen, drejtuesi i saj ka kthyer timonin, por ka humbur kontrollin e makinës. Automjeti është përplasur me një bordurë e më tej ka përfunduar në kanal. Si rrjedhojë kanë gjetur vdekjen 50-vjeçari Xhevit Arapi, por edhe djali i tij 23-vjeçar Ledion Arapi, ndërsa është plagosur drejtuesi i biçikletës. Megjithëse dyshohet se shkak për përplasjen e fuqishme ka qenë shpejtësia, mungesa e ndriçimit në rrugë ka bërë të vetën. Kështu, teksa oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kryenin veprimet në vendngjarje, një automjet që shkonte në drejtim të Fierit, për shkak të errësirës është përplasur me një nga makinat e policisë, ndërsa kjo e fundit ka goditur dhe dy të tjerë. Por fatmirësisht pa pasur pasoja në njerëz.
Disa orë pas aksidentit të parë, tre anëtarë të një familjeje kanë mbërritur në spital. Familja e Qemal Bushit, e përfshirë në aksident po vinte nga Greqia në drejtim të Fierit. Në vendin e quajtur "Kthesa e Patozit", makina është përmbysur si pasojë e humbjes së kontrollit. Kështu ka mbetur i plagosur Qemal Bushi, 36 vjeç, djali i tij 6-vjeçar Marigleni dhe një 48-vjeçar që ndodhej në automjet. Babë e bir ndodhen në reanimacion.
Aksidenti në Kavajë
Rreth orës 13:40 një karambol i ndodhur në aksin Kavajë - Durrës i ka marrë jetën 3 personave që ndodheshin në bordin e një mjeti tip "Golf" me targa greke i cili u përplas me një autobot të Kavajës që udhëtonte në kah të kundërt me të. Ndërkohë një person ka mbetur i plagosur. Mësohet se viktimat janë Çelik Dashi, 31 vjeç, Fatjona Alliu, 27 vjeçe, ndërsa e paidentifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes ishte një grua rreth të 50-tave. Ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Fatmir Alliu. Mësohet se fatkeqësia ka ardhur si pasojë e përplasjes së automjetit ku udhëtonin tre viktimat me një autobot, i cili ishte nisur për të dërguar ujë pranë lokaleve të shumta të zonës së plazhit. Viktimat ndodheshin në "Golf" së bashku me një person të katërt që i shpëtoi vdekjes. Policia ka bërë përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga makina trupat e viktimave pasi automjeti i tyre ishte deformuar keqazi. Ekspertët e policisë rrugore kanë deklaruar pas ngjarjes dhe kontrollit të rrethanave të ngjarjes se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe tejkalimit të normave të lejuara të shpejtësisë. Fillimisht policia ka pasur vështirësi për identifikimin e viktimave pasi nuk kishin as dokumente, por një person që ka mbetur i plagosur, Fatmir Alliu, nga Librazhdi, pas ndihmës së dhënë mjekësore, ka arritur që të komunikojë dhe të japë emrat e dy prej viktimave që kishin humbur jetën, kurse për personin e tretë u shpreh se nuk kishte dijeni kush ishte.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›