Aksidenti në Vlorë-Fier, shkon në 2 numri i viktimave

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga aksidenti tragjik që ndodhi ditën e djeshme (1 shtator) në aksin Vlorë–Fier, pranë zonës së njohur si “Kripa”.
Bëhet me dije se personi që mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Ditën e djeshme një automjet tip “Dacia” me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetase italiane 28-vjeçare, u përplas me kamionçinën që drejtohej nga një shtetas shqiptar, 62 vjeç. Si pasojë e përplasjes së fortë, kamionçina devijoi nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse.
Për pasojë, shoferi i kamionçinës ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa pasagjeri u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Shtetasja italiane e cila drejtonte automjetin “Dacia” u arrestua nga policia.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasen italiane A. T., 28 vjeçe, banuese në Napoli, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin në afërsi të vendit të quajtur “Kripa”, në autostradën “100 Vjetori”, është përplasur me një kamionçinë tip “Benz”. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i kamionçinës, shtetasi F. H., 63 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital edhe pasagjeri në këtë mjet, shtetasi D. M., 47 vjeç, banues në Vlorë“, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/