E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti tragjik në Durrës, Manja: Do të propozojmë ndryshime në Kodin Rrugor dhe Penal

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, tha sot se shumë shpejt Partia Socialiste do t’i drejtohet Kuvendit me një propozim për ndryshime në Kodin Rrugor dhe atë Penal. Nisma vjen pas aksidentit tragjik të 3 majit në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur.

Deputeti socialist theksoi se ngjarja e rëndë duhet të përkthehet në masa konkrete ligjore, duke evidentuar nevojën për të adresuar boshllëqet ekzistuese në legjislacionin rrugor.

“Ai është një njeri që do të duhet të marrë ndëshkimin e merituar sipas ligjit. Ngjarja është shumë e rëndë. Ky komision ka përgjegjësi që këtë shqetësim që ka krijuar kjo ngjarje ta përkthejë në ndryshime ligjore”, u shpreh Manja gjatë mbledhjes së sotme të komisionit.

“Së bashku edhe me disa kolegë të tjerë të kësaj mazhorancës, ne do t’i drejtojmë shumë shpejt Kuvendit një paketë ndryshimesh në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal si kundërpërgjigje adekuate në nivelin e ndërhyrjeve ligjore kësaj situate. Natyrisht nuk do të duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të pasur ndërhyrje në Kodin Rrugor apo Kodin Penal për të ashpërsuar masat, por po shohim të gjitha hapësirat dhe boshllëqet që ka Kodi Rrugor dhe Kodi Penal në këtë drejtim për t’i adresuar në masën e duhur”, tha Manja.

Manja u ndal edhe tek autori i dyshuar i aksidentit, duke deklaruar se shoferi duhet të përballet me drejtësinë dhe të marrë dënimin maksimal sipas ligjit.

“Në rrafshin njerëzor ngjarja është shumë e rëndë dhe personi autor i kësaj vepre penale, gjithçka mund të përfaqësojë ai, po nuk meriton të jetë më mes nesh, përveçse të marrë ndëshkimin e merituar shembullor sipas ligjit”, tha Manja.

Ndoja: Ligjet i kemi, por nuk zbatohen në praktikë

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja deklaroi se Shqipëria ka një ligj me dënime të larta, por nuk zbatohet në praktikë.

“Në aspektin juridik që për mendimin tim ne e kemi ligjin, por ligji nuk zbatohet se është 5 deri në 20 vjet. Pra është masë shumë e lartë dënimi, nuk e ka asnjë vend tjetër i BE-së këtë masë dënimi që kemi ne. Ne thjesht nuk e zbatojmë ligjin. Në atë lagje duhet të ketë edhe sheshe, edhe aktivitete të tjera ndihmëse që nuk i kanë, aty ka rrugë që janë shtruar nga banorët vetë me beton”, tha deputeti Ndoja.

Aksidenti i rëndë rrugor ndodhi më 3 maj në zonën e njohur si ish-Këneta në Durrës, ku një 57-vjeçar i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur përplasi 3 të mitur duke lënë të vdekur dy prej tyre, ndërsa i treti ndodhet në spital.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›