E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidenti tragjik në Sarandë, parakalimi i gabuar u mori jetën dy motrave 20 dhe 22 vjeçe

Është zbardhur dinamika e aksidentit që ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Elvisa Dhimaku, 22 vjeçe dhe Rozina Dhimaku, 20 vjeçe. Pasagjerja tjetër, 24 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 në vendin e njohur si “Pularia”, kur automjeti tip Lancia, i drejtuar nga Elvisa Dhimaku, u përplas kokë më kokë me një Audi, që drejtohej nga një 23-vjeçar. 

Sipas policisë, Kevi N. tentoi të parakalojë një tjetër mjet me shpejtësi, duke kaluar në korsinë e kundërt, ku po udhëtonin motrat Dhimaku. Përplasja ishte e fortë kokë më kokë dhe për pasojë Audi është përmbysur në rrugë.

23-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi testet e alkoolit në vendngjarje treguan vlerën 1,52 mg/l dhe 1.42 mg/l, alkool mbi normën e lejuar.

Forcat e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë për nxjerrjen e trupave dhe dhënien e ndihmës së parë. Grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›