Aksioni antikanabis në Shkodër, Balla: Policia vijon intensivisht operacionet nga ajri dhe toka

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përshëndeti sot operacionin e Policisë së Shkodrës, ku u asgjësuan mbi 13 mijë fidanë e bimë kanabis.
“Policia e Shtetit vijon intensivisht operacionet nga ajri dhe toka luftën kundër kanabisit e mbështetur edhe nga Reparti i Helikopterëve të Forcave Ajrore”, theksoi Balla në një reagim.
Balla përgëzoi Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për operacionin e sotëm në një zonë me terren shumë të vështirë ku u asgjësuan mbi 13 mijë fidanë e bimë kanabis.
Megaoperacioni policor anticannabis, i koduar “Territor i pastër” vijon me intensitet nga ajri dhe nga toka.
Kjo fazë e megaoperacionit u zhvillua në zona me terren të vështirë ku ndërhyrja e forcave të Policisë u krye nga ajri me helikopterin e Forcave Ajrore të Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë kësaj faze u angazhuan 80 punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër.
Gjatë këtij operacioni janë asgjësuar 13194 fidanë e bimë kanabis (6500 fidanë dhe 6694 bimë kanabis)
/r.e/