Aktivisti palestinez: Izraeli po sjell luftën edhe në Bregun Perëndimor

Mustafa Barghouti, udhëheqësi i Partisë Kombëtare të Nismës Palestineze ka deklaruar se ngjarjet e sotme në Bregun Perëndimor tregojnë se “ushtria izraelite po përpiqet të sjellë luftën … nga Gaza në Bregun Perëndimor”.
“Ajo që ju shihni këtu është një luftë e njëanshme nga një ushtri e madhe izraelite me Forcën Ajrore që në thelb sulmon popullsinë civile në Bregun Perëndimor”, tha për BBC-në Barghouti, duke akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Barghouti pretendon gjithashtu se ushtria izraelite ka lëshuar urdhra evakuimi për njerëzit në kampin e refugjatëve Nur Shams – diçka që nuk është konfirmuar.
Ndërkaq, BBC raporton se nuk ka urdhra evakuimi për civilët por që atyre u është dhënë një periudhë kohore në të cilën ata mund të largohen nga kampi, duke kaluar nëpër një pikë kontrolli ushtarak.
“Ata i kanë detyruar njerëzit të zhvendosen dhe të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të bëhen përsëri refugjatë”, u shpreh më tej Barghouti.
/rtsh.al/