E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktivitetet kulturore e artistike javën e fundit të majit

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Kjo javë do të jetë e mbushur me aktivitete kulturore e artistike. Një prej tyre është Festivali Teatror i Shkollave të Tiranës “TK Rin Art 2026”, shfaqjet e të cilit do të vijojnë deri më 5 qershor.

Në Elbasan, në Teatrin “Skampa”, zhvillohet Maratona Rinore, një event i cili ka hyrë në vitin e 30-të të tij.

Në Galerinë e Arteve “Edward Lear”, në Berat, zhvillohet ekspozita vetjake “Identitete në tranzicion”, nga Ermal Mbrakulli.

Tek instalacioni i Resë, në Tiranë, është në zhvillim e sipër festivali Cloud Fest, edicioni i 10-të.

Teatri Kombëtar jep shfaqjen “Simfonia 5 jo 9”, me aktoren Olta Daku, e cila do të përformojë për katër net rresht duke nisur nga mbrëmja e sotme.

Të apasionuarit e muzikës dhe në veçanti të kitarës, mund të ndjekin “Albania Guitar Festival”, ku do të jetë radha Aysegul Koca të interpretojë në këtë festival.

Në Teatrin e Metropolit do të shfaqet “Si ne të dy”, sot dhe nesër, me aktorët Alfred Trebiscka dhe Luiza Xhuvani. Komedia e zezë drejtohet nga regjisorja Violeta Trebicka. Ndërkohë në Universitetin e Arteve do të vihet në skenë opera “Lélisir d’amore”.

Gent Bejko rikthehet si regjisor dhe autor me pjesën “Gomerët e trojeve”, e cila do të shfaqet më 26 dhe 27 maj, në Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës.

Eventi i shumëpritur nga fëmijë e familje, Fun Fair vjen në datat 29 maj – 1 qershor në sheshin “Italia”,  një oaz me shfaqje fantastike, aktivitete të larmishme, momente magjike e mundësi të ndryshme bashkëpunimi dhe promovimi.
Ndërkohë, Teatri i Kukullave në Tiranë, u lë një tjetër takim vogëlushëve me shfaqjen premierë “Macja që bën papuçe”.

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›