Aktorja Claudia Cardinale lë gjurmët në Durrës

Claudia Cardinale
Një nga ikonat e bukurisë italiane, aktorja Claudia Cardinale, mbërrin sot në Durrës. Për të dëshmuar praninë e saj në Festivalin e Filmit, që zhvillohet në qytetin bregdetar shqiptar, aktorja, e cila ka interpretuar me sa e sa emra të mëdhenj të kinematografisë italiane, si Fellini, Mastroiani etj., do të lerë firmën dhe gjurmët e duarve në Bulevardin e Artit, i cili u realizua këtë vit përpara teatrit Aleksandër Moisiu, ku paralelisht me Amfiteatrin antik, zhvillohen ditët e festivalit. Pas këtij riti, të cilin do ta kryejnë edhe emra të tjerë të njohur të kinematografisë së huaj e shqiptare, Cardinale do të marrë dhe Çmimin e Argjendtë nga Bashkia e qytetit të Durrësit, e cila është mbështetësja kryesore e Festivalit për të katërtin edicion. Ndërkaq, sot do të vijojë gara dhe shfaqja e filmave jashtë konkurrimit. Nga seksionet në garë, sot do të shfaqen filmat: Pa baba nga Marie Kreutzer, Austri; Djaloshi nga Maria Peters, Norvegji; 72 ditë nga Danilo Serbedzija, Kroaci Serbi, Mulliri dhe kryqi nga Lech Majewsk, Poloni; dhe Haberman nga Juraj Herz, Gjermani. Në seksionin e retrospektivës do të shfaqet filmi Njeriu i mirë, për nder të aktorit Vangjush Furxhi, të cilit këtë vit iu akordua Çmimi i Karrierës.