Aktualisht pa trajner, Al Hilal synon Xavin

Pas zgjidhjes me konsensus së kontratës me trajnerin portugez Jorge Jesùs, Al Hilal është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa vetë Jesùs është tashmë në “pole position”, duke pasur parasysh ‘ngërçin’ në negociatat me Carlo Ancelottin, për të shkuar të drejtojë kombëtaren braziliane.
Për skuadrën saudite, e cila me portugezin në pankinë fitoi një kampionat, një Kupë Mbreti dhe dy superkupa kombëtare, objektivi është një tjetër trajner europian dhe emri që po qarkullon më me ngulm është ai i spanjollit, ish-lojtari dhe trajneri i Barcelonës, Xavi.
Por klubi i freskët nga zhgënjimi i hidhur i eliminimit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve aziatik, po kërkon edhe përforcime për skuadrën dhe ka bërë një tentativë të re për Raphinhan, duke shkuar deri në ofrimin e 200 milionë eurove. Shtypi vendas raporton se oferta është refuzuar nga klubi i ‘blaugrana’.