E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuaparku i sekuestruar, AAPSK organizon ditë argëtuese për fëmijët jetimë

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara po marrin një tjetër dimension, duke u vënë në shërbim të komunitetit dhe grupeve në nevojë.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) organizoi një ditë argëtuese për fëmijët jetimë në një akuapark, pjesë e pasurive nën administrimin e saj.

Aktiviteti synoi t’u ofrojë fëmijëve një ditë ndryshe, të mbushur me lojëra, argëtim dhe momente gëzimi, duke krijuar një eksperiencë të veçantë larg përditshmërisë.

AAPSK theksoi se administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk kufizohet vetëm në ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e tyre, por, aty ku është e mundur, synon t’i kthejë këto pasuri në burim vlere dhe dobie për shoqërinë dhe komunitetin.

Sipas Agjencisë, aktivitete të tilla përcjellin mesazhin se pasuritë e sekuestruara mund të përdoren në një dimension të ri, duke kontribuar në të mirë të komunitetit dhe të personave që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Nisma është pjesë e qasjes së AAPSK për një administrim të pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara që shkon përtej menaxhimit të tyre, duke synuar edhe krijimin e vlerës sociale.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›