E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza të forta ndaj Berishës, Salianji: Çdo ditë e tij në krye është humbje për PD

Ervin Salianji ka vijuar turin e takimeve me demokratët, ndërsa nga Peshkopia lëshoi akuza të forta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, duke e cilësuar si pengesë për rikthimin e opozitës në pushtet.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Salianji tha se pjesëmarrja e qytetarëve në takim është prova më e mirë se brenda Partisë Demokratike ekziston garë reale.

“Kjo është përgjigjja më e mirë për ata që thonë se nuk ka garë në PD. Gara është nëpër sheshe. PD nuk uzurpohet dhe nuk ecet mbrapsht”, deklaroi ai.

I entuziazmuar nga pjesëmarrja, Salianji u shpreh se takimet e ardhshme do të zhvillohen në ambiente edhe më të mëdha, duke paralajmëruar se shumë shpejt do të zhvillojë një takim edhe në Tiranë.

Ai theksoi se Partia Demokratike mbetet e vetmja forcë politike që mund të sjellë ndryshim në vend, por sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm përmes rikthimit te vlerat themeluese dhe hapjes së partisë.

Salianji reagoi edhe ndaj sulmeve të Berishës kundër ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, duke deklaruar se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin e demokratëve, por interesat personale të Berishës.

“Nuk mund të jetë Shqipëria dhe PD një frëngji ku gjuhen ambasadorët. Ky nuk është qëndrimi i PD-së, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe po e mban peng partinë”, tha Salianji.

Më tej, ai e konsideroi Berishën përgjegjës për humbjet e njëpasnjëshme të opozitës dhe izolimin ndërkombëtar të Partisë Demokratike.

“Sali Berisha nuk mund ta sjellë PD-në në pushtet as sot, as nesër dhe as kurrë. Çdo ditë që ai qëndron në krye të PD është humbje për opozitën dhe Shqipërinë”, deklaroi Salianji.

Në fund të fjalës së tij, ai e cilësoi Berishën “dinozaur të politikës”, duke shtuar se Partia Demokratike duhet të hapet ndaj brezave të rinj, garës së brendshme dhe fraksioneve politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›