E Hënë, 2 Nëntor 2026

Akuzat ndaj gjyqtares Irena Gjoka, Argita Malltezi: SPAK të tregojë nëse ka video të aferës korruptive

Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme, ku ka dhënë sqarime mbi akuzat e ngritura ndaj gjyqtares Irena Gjoka, ndërsa kjo e fundit e ka paditur për kallëzim të rremë.

Sipas Malltezit, ekziston një video ku magjistratja Gjoka negocion me një ish-deputet të Partisë Socialiste për marrjen e shumës prej 500 mijë eurosh në këmbim të lehtësirave ligjore shfajësuese.

Pas daljes nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Malltezi u shpreh për mediat se SPAK vendosi që të mbyllë procedimin.

Ajo shpjegoi se kishte pyetur prokurorët e SPAK-ut nëse ekziston një video e tillë, që sipas saj është gjetur rastësisht në banesën e një gazetari të larguar nga Shqipëria, ndërsa deklaroi se vetë nuk i disponon pamjet.

“Ka kërkuar të hetohet për kallëzim të rremë ndaj meje dhe SPAK-ut ka hapur procedim me kërkesën e saj. Në një tentativë që duart lajnë fytyrat që nuk mund të lahen. Çdo tentativë për të mbyllur gojën e pyetjeve dhe oponencës është një tentativë për të nxjerrë institucionet publike nga kontrolli publik. Është një tentativë që do të dështojë.  

Ju keni qenë prezent mediatikisht në atë periudhë, unë u jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media prej kohësh. Të paktën që prej gushtit të vitit 2024 që e akuzonin zonjën në fjalë, pikërisht për ato të cilat ajo nuk i kundërshton dot, dhe nuk i ka kundërshtuar me sa mu lexua në ekstraktet e atij akti. Por për të cilën ka kërkuar Dumanin që t’i lajë fytyrën. Vë në dukje standardin e dyfishtë që shumë shpejt do të kthehet në muze të turpit të kapjes së drejtësisë.  

Nuk e kanë nisur procedimin, kanë vendosur mbylljen e procedimit. Pyeta a ekziston një video e tillë, a e disponon SPAK një video të tillë që e ka gjetur rastësisht në shtëpinë e një gazetari të larguar nga Shqipëria. Videon nuk e disponoj, SPAK pse nuk ka pse ta tjerrë. Të thotë SPAK që nuk ekziston”, u shpreh Malltezi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›