Akuzat për gjenocid- Turqia pritet t’i bashkohet Afrikës së Jugut kundër Izraelit

Turqia do të dorëzojë sot deklaratën e saj ku pritet t’i bashkohet Afrikës së Jugut sa i përket akuzave të ngritura ndaj Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë.
Deklarata pritet të bëhet sot në orën 13:30 pasi ministri i Jashtëm Hakan Fidan tha këtë javë se Turqia do të mbajë qëndrimin e saj në mesjavë.
“Ndërhyrja e Turqisë e shtyn komunitetin ndërkombëtar të njohë dhe adresojë krizën humanitare në Gazë”, shkruajnë mediat izraelite të cilat u referohen burimeve diplomatike.
Në maj, Turqia tha se kishte vendosur t’i bashkohej çështjes së nisur nga Afrika e Jugut ndërsa rriti masat kundër Izraelit lidhur me sulmin ndaj Gazës, duke shtuar se oferta e saj do të ndiqte përgatitjet e nevojshme ligjore.
Në muajin qershor, Spanja bëri të ditur se kishte kërkuar të ndërhynte në këtë çështje në GJND, në organin më të lartë ligjor të Kombeve të Bashkuara i krijuar në vitin 1945 për t’u marrë me mosmarrëveshjet midis shteteve.
Nga ana e tij, Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat për gjenocid duke i konsideruar si të pabaza, ndërsa ka argumentuar në gjykatë se operacionet e tij në Gazë janë vetëmbrojtje dhe synojnë të godasin terroristët e Hamasit që masakruan izraelitët më 7 tetor të vitit të kaluar.
/rtsh.al/