Akuzat për korrupsion në Ukrainë, dorëhiqet këshilltari i Zelenskyt dhe zv.ministri i Mbrojtjes

Disa zyrtarë të lartë ukrainas kanë dhënë këtë të martë dorëheqjen nga detyra, pas njoftimit të Presidentit Volodymyr Zelensky për shkarkime dhe akuzave për korrupsion. Këshilltari i Zelenskyt, zv.ministri i Mbrojtes dhe zv.Prokurori i Përgjithshëm kanë dhënë dorëheqjen.
I pari që dha dorëheqjen të martën ishte Timoshenko, zëvendës shefi i zyrës së presidentit, i cili mbikëqyri politikën rajonale dhe më parë kishte punuar në fushatën zgjedhore të Zelensky.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shopalov ka dhënë gjithashtu dorëheqjen, pas raportimeve se ai mbikëqyri marrëveshjen e diskutueshme për furnizimet ushqimore të ushtrisë. Departamenti e quajti këtë një “gabim teknik” dhe pretendoi se asnjë para nuk kishte ndryshuar duart. Presidenti Zelensky premtoi se nuk do të ketë kthim në atë që ka qenë në të kaluarën, në mënyrën se si jetonin njerëzit e ndryshëm pranë institucioneve shtetërore.
Komentet e tij pasuan arrestimin e zëvendësministrit të infrastrukturës të Ukrainës, Vasyl Lozinskyi të shtunën, i dyshuar për pranimin e një ryshfeti me vlerë mbi 350,000 dollarë (285,000 £) për furnizimin e gjeneratorëve të energjisë elektrike. Ai i ka mohuar akuzat. David Arakhamia, kreu i partisë së Zelenskyt, është zotuar se zyrtarët e korruptuar mund të përballen me burg.
“Zyrtarët në të gjitha nivelet janë paralajmëruar vazhdimisht përmes kanaleve zyrtare dhe jozyrtare: fokusohuni në luftë, ndihmoni viktimat, zvogëloni burokracinë dhe ndaloni së bëri biznes të dyshimtë. Shumë prej tyre në fakt kanë dëgjuar, por disa, për fat të keq, jo. Nëse nuk funksionon në mënyrë të civilizuar, do të bëhet sipas ligjeve të kohës së luftës. Kjo vlen si për blerjet e fundit të gjeneratorëve ashtu edhe për skandalet e reja në ministrinë e mbrojtjes” tha ai.
/rtsh.al/