E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat zgjerohen edhe për shkencë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka nisur vitin me kumtesa kritike ndaj qeverisë. Një ditë pasi akuzoi qeverinë për mosfinancim të librit, akuza të njëjta bëri edhe sa i përket mungesës së politikave dhe programeve për zhvillimin e shkencës.

Pikërisht për këtë shkak, Qeveria e Kosovës alokon fonde minimale për shkencën, thekson LDK, derisa pohon se shumat që jepen janë simbolike, dhe ato po zvogëlohen vit pas viti.

“Vetëm gjatë vitit 2012, për shkencën do të ketë tri herë më pak buxhet se në vitin që shkoi”, thuhet në kumtesën e LDK, ku, mes tjerash vlerësohet edhe se “është e kuptueshme që një qeveri pa interesim për të zhvilluar dhe përparuar shkencën, nuk përfill asnjë nga rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Shkencës”.

“Përkundër vendimit të qeverisë, punonjësit shkencorë nuk i kanë marrë pagat me rritje nga data e marrjes së vendimit. Sikurse punonjësve të arsimit, qeveria u ka borxh edhe punonjësve shkencorë. Institucionet shkencore janë pa përkrahje, nuk ndihmohen financiarisht, janë të pareformuara dhe të shantazhuara nga qeveria”, thuhet në komunikatë.

LDK përmend edhe rastin e Institutit Albanologjik, për të cilin thotë se mbetet tejet i pareformuar, dhe vazhdon të funksionojë në paqartësi të plotë... Madje, “një pjesë e mirë e hapësirës së tij, tepër pahijshëm dhe në kushte të konfliktit të interesit, është shndërruar në qendër biznesi”, thuhet tutje në kumtesë.

“Ky institucion, në kundërshtim me ligjin dhe në sy të qeverisë, gjatë vitit 2011 ka doktoruar disa nga punonjësit e tij. Për fat të keq, edhe revista e njohur e këtij instituti, ‘Gjurmime Albanologjike’ është e pavërejtshme, sepse mungojnë fondet, por edhe kërkimet shkencore me vlerë që do të publikoheshin aty”.

Në kumtesën e saj të radhës, LDK zë në gojë edhe Institutin e Historisë, për të cilin thotë se ka disa vite që po shantazhohet haptazi nga qeveria dhe nga vetë shefi i saj, duke mos u lejuar të vendoset në objekt, i cili vazhdon të jetë i mbyllur.

Pjesë e kësaj kumtese, të publikuar të mërkurën, ishte edhe Instituti Pedagogjik, i cili, sipas LDK, “funksionon në kushte emergjente, pa hapësira të vetat, në një hapësirë të objektit të Institutit Albanologjik, dhe pa një veprimtari të shënueshme”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›