Akuzohen për korrupsion, Prokuroria detyrim paraqitjeje për 7 pedagogë të Universitetit të Elbasanit

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Prokuroria e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë, detyrim paraqitjeje për 7 pedagogë të Universitetit të Elbasanit, të cilët akuzohen për korrupsion.
7 pedagogët janë pezulluar nga puna në Universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit. Me urdhër të prokurorit të këtij qyteti, 7 pedagogët e Shkencave të Edukimit akuzohen për korrupsion dhe ndaj tyre është marrë masa detyrim paraqitje, teksa universiteti i ka pezulluar nga detyra.
Mediet raportuan se pedagogët janë: Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme; Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin; Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore; Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës; Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë; Florinda Tarusha, Lënda: Filozofi e edukimit dhe Monika Hodaj, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
Ndërkohë lidhja mes pedagogëve dhe studentëve dyshohet se kryhej nga shtetasi Gazmend Hodaj, i cili luante rolin e sekserit.
Hetimet mësohet se kishin disa muaj që kishin nisur, përkatësisht gjatë sezonit të vjeshtës. Kanë qenë studentët ata të cilët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese. Këtë të premte në ambientet e universitetit të Elbasanit kanë qenë prokurorët dhe punonjësit e policisë, të cilët kanë sekuestruar dokumentacionin që mund t’i shërbejë hetimit.
Policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për këtë rast, ndërsa pedagogët nën hetim janë pezulluar nga detyra. /j.p/