E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohen për prodhim e shitje narkotikësh, grup i strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre, GJKKO jep vendimin për tre të pandehurit, njëri prej tyre ish-efektiv policie

GJKKO ka dhënë vendimin për tre të pandehurit, Adriatik Logli, Kristi Dautaj dhe Xhuliano Aliu, të cilët u arrestuan në mars të vitit 2022 në kuadër të një operacioni të SPAK, ku u goditën 5 grupe kriminale.

Adriatik Logli, ish-efektiv policie në Gjirokastër u shpall i pafajshëm nga gjykata për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kristi Dautaj u shpall fajtor për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe u dënua më 10 vite burgim si dhe dy vite burgim për veprën penale grup i strukturuar kriminal. Në përfundim, gjykata vendosi për Kristi Dautaj dënimin përfundimtar me 10 vite burg.

Gjykata e Posaçme dënoi me 5 vite burg shtetasin Xhuliano Aliu për prodhim dhe shitje narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe me 1 vit burg për veprën penale grup i strukturuar kriminal. Në përfundim, gjykata vendosi se Aliu do të duhet të bëjë 5 vite burg në total

NJOFTIMI I PLOTË:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Adriatik Logli, Kristi Dautaj dhe Xh.A”.

  1. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Olkeda Lice, Marinela Osmani dhe Matilda Fetahu, me vendimin nr. 14, datë 13.02.2026 vendosi:
  2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Adriatik Logli, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Kristi Dautaj, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
  4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të pandehurit Kristi Dautaj me një dënim të vetëm prej 10 (dhjetë) vjet burgim.
  5. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.
  6. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe në bazë të neneve 283/1, 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
  7. Deklarimin fajtor të të riut në konflikt me ligjin Xh.A, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe në bazë të nenit 333/a/2 të Kodit Penal dhe nenit 51 të Kodit Penal, dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
  8. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal dënimin e të riut në konflikt me ligjin Xh.A me një dënim të vetëm prej 5 (pesë) vjet burgim.
  9. Në vuajtjen e dënimit të mbahet parasysh edhe koha e vuajtur nën masat e sigurimit personal “Arrest në Burg” dhe “Arrest në Shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal.
  10. Vuajtja e dënimit për të gjithë të pandehurit e dënuar me burgim në këtë vendim do të kryhet në burg të sigurisë së lartë.
  11. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K.Pr.Penale, i ngarkohen të pandehurve të cilët deklarohen fajtorë, në mënyrë solidare.
  12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ekzekutimin e këtij vendimi.
  13. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›