Akuzohet për përvetësim të miliardave me tenderat e AKSHI-it. Biznesmeni Ermal Beqiri del nga SPAK

Biznesmeni Ermal Beqiri është paraqitur këtë të hënë në SPAK, ku mësohet se ka qëndruar për rreth një orë.
Ai është parë të dalë nga ambientet e organit hetues, ndërsa ende nuk dihen arsyet e thirrjes së tij.
Ermal Beqiri, është një nga emrat aktiv në tregun e teknologjisë së informacionit dhe përfitues i një numri të madh tenderash publikë, përfshirë ato të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Më herët, oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Soft & Solution”, në pronësi të Beqirit. Burime bëjnë me dije se gjatë kontrolleve agjentët e BKH kanë sekuestruar materiale dhe dokumentacione të ndryshme në ambientet e zyrave të Soft & Solution.
Ende nuk dihet nëse thirrja e tij këtë të hënë në SPAK, ka lidhje me tenderat e fituar nga kompania apo nëse janë pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.