E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarm i kuq për përmbytje në Francë, stuhia Nils shkakton kaos në disa rajone

Franca ka shpallur alarm të kuq për përmbytje në tre departamente, ndërsa pasojat e stuhisë Nils vijojnë të shkaktojnë situatë të rënduar në disa pjesë të vendit. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe tokave të tejngopura me ujë.

Lumi Garonne ka dalë nga shtrati, duke përmbytur banesa dhe duke izoluar fshatra të tëra, veçanërisht në zonat jugperëndimore. Hidrologët theksojnë se reshjet po bien mbi toka që kanë arritur nivele rekord të ngopjes, çka e përkeqëson situatën dhe rrit rrezikun për përmbytje të reja edhe nga sasi relativisht të vogla shiu.

Shërbimi meteorologjik kombëtar, Météo-France, njoftoi se alarmi i kuq do të mbetet në fuqi në departamentet Gironde, Lot-et-Garonne dhe Maine-et-Loire. Ndërkohë, numri i qarqeve nën alarm portokalli pritet të ulet nga 14 në 12 gjatë ditës së mërkurë.

Ministrja për Tranzicionin Ekologjik, Monique Barbut, deklaroi se gjendja e jashtëzakonshme do të shpallet sapo të përfundojë faza më kritike e përmbytjeve, me qëllim përshpejtimin e procedurave të kompensimit nga sigurimet. Duke folur për televizionin LCI, ajo theksoi se ekspertët e klimës kanë paralajmëruar prej kohësh për shtimin e fenomeneve ekstreme. “Ngjarje të tilla do të bëhen më të shpeshta. E ardhmja që na është paralajmëruar tashmë ka mbërritur”, u shpreh ajo.

Sipas Vigicrues, shërbimi francez i monitorimit të përmbytjeve, situata mbetet dinamike. Drejtoresha e këtij institucioni, Lucie Chadourne-Facon, deklaroi për kanalin BFMTV se vazhdimësia e reshjeve ka qenë “e jashtëzakonshme” dhe se tokat janë aq të ngopura sa vetëm 20–30 milimetra shi mund të shkaktojnë përmbytje të reja.

Autoritetet presin rritje të mëtejshme të niveleve të ujit edhe në lumenjtë Maine dhe Loire, veçanërisht në zonën e qytetit Angers dhe në Les Ponts-de-Cé, ku përmbytjet e mëdha pritet të arrijnë kulmin gjatë natës dhe ditës së mërkurë.

Përmbytjet në Francë vijnë pas një vale stuhish që goditën edhe Portugalia dhe Spanja, duke lënë të paktën 16 viktima dhe duke detyruar mijëra persona të evakuohen nga banesat e tyre.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të emergjencës, ndërsa situata mbetet në zhvillim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›