E Diel, 1 Nëntor 2026

Albano Bogdo: Silvinjo, më i paafti trajner i Kombëtares! Nevil Dede: Ka bërë rezultat!

Në studion e emisionit QUO VADIS në Vizion Plus u zhvillua një debat i fortë lidhur me punën e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, gjatë eliminatoreve.

Ish-futbollisti Nevil Dede vlerësoi pozitivisht ecurinë e trajnerit, duke theksuar se rezultatet e arritura nuk lënë vend për kritika.

Nga ana tjetër, Albano Bogdo u shfaq tepër kritik, duke rikujtuar edhe një batutë të mëparshme, ku e kishte cilësuar Silvinjon si trajnerin më të paaftë që ka pasur Kombëtarja. Bogdo u ndal veçanërisht te menaxhimi i ndeshjes ndaj Italisë, pas golit të shënuar në sekondën e 13-të, duke e konsideruar të gabuar qasjen mbrojtëse dhe mungesën e kundërsulmeve.

Pjesë nga biseda:

Dede: Për mua Silvinjo ka bërë mirë në këto eliminatore, realisht, dhe shpresoj që të vazhdojë të bëjë mirë deri në fund.

Borakaj: Ndërsa po zhvillohej një nga ndeshjet e kombëtares, kam pasur të ftuar Albano Bogdon, dhe  bëri një batutë për Silvinjon. Tha: Është trajneri më i paaftë që ka pasur Kombëtarja.

Dede: I lejohet me të drejtën e Zotit, të thotë çfarë të dojë sepse nuk i përket kësaj fushe, ndërsa unë, meqë kam këtë profesion, kam një etikë tjetër dhe duhet të flas ndryshe. Por derisa bënë rezultat, nuk ,mund të thuash asgjë.

Bogdo: Si mund të bësh gol në sekondën e 13-të dhe pastaj t’u thuash lojtarëve: Futuni në portë dhe të shpresojmë të mos na shënojë Italia gol për 500 minuta?

Dede: Ke të drejtë, tërhiqem direkt.

Bogdo: Pse po më trajton sikur po bëjmë thjesht diskutim? Më ka rënë si dru pas koke kjo. Ti bën një kundërsulm, mbaje lojën në mes të fushës! Injorant (Silvinjo) që e more Lionin  nga vendi i dytë dhe e nxore nga kategoria, dhe more Flamengon nga vendi i katërt e e katandise paçavure. Këtë ka bërë Silvinjo në karrierën e tij. Shënuam një gol pa dashje me Italinë në sekondën e 13-të dhe u thotë lojtarëve: Mblidhuni në portë e të shpresojmë te Zoti që të mos hamë gol. Nuk është punë Zoti kjo. Mbaje lojën në mesfushë, sulmo prapë, përpiqu!

/vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›