Aleanca Kuq e Zi: Shkodra shënon rekord firmash kundër regjistrimit etnik
Qindra qytetarë të Shkodrës u rreshtuan sot në mbështetje të Aleancës Kuq e Zi, për firmosjen e peticionit kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Sipas organizatorëve Ky tubim madhështor në qendër të qytetit historik të Shkodrës ka shënuar një rekord domethënës kundër këtij regjistrimi të gabuar. Qytetarëve të shumtë u janë bashkuar edhe 11 futbollistët e skuadrës së Vllaznisë.
Me mbërritjen në Shkodër Aleanca Kuq e Zi gjeti një atmosferë patriotike tepër entuziaste mbarë qytetare. Të shumtë në numër, qytetarët shkodranë i kanë dhënë Aleancës Kuq e Zi një mbështetje të gjerë në mbrojtjen e interesave e dinjitetit kombëtar. Aleanca Kuq e Zi konfirmon dhe njëherë se qëndrimi i saj për cështje të tilla si: e ardhmja, integrimi, por sidomos mbrojtja e interesave kombëtare është i ndryshëm nga qëndrimi i klasës politike në vend, dhe Aleanca Kuq e Zi nuk bëhet palë në luftën e tyre për pushtet. Prioritet i veprimtarisë sonë mbetet kundërshtimi nëpërmjet mjeteve ligjore i praktikës së gabuar të regjistrimit të popullsisë mbi baza të vetëdeklarimit të kombësisë, thuhet në njoftimin e Aleancës Kuq e Zi.