Alibali: Irani ishte afër armës bërthamore, lufta e dobësoi

Analisti Neritan Alibali ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se Irani përbënte një rrezik të madh duke qenë se ishte pranë bombës atomike. Ai theksoi se mjafton pak të përfytyrosh një Iran me bombë atomike dhe që kërcënonte me mbylljen e Hormuzit.
“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur çmimet e naftës dhe benzinës në nivele që nuk kanë qenë kurrë, por nga ana tjetër duhet thënë që para fillimit të luftës është vërtetuar që Irani ka pasur të prodhuar 440 ton uranium dhe i pastruar 60 për qind dhe ka qenë 2 javë para prodhimit të materialit të zbërthyeshëm për krijimin e një bombe atomike. Përfytyroni një Iran me armë bërthamore që vendos traun te Hormuzi. Lufta e solli në këtë situatë”, u shpreh Alibali.
Ai vuri në dukje se Irani nuk ka nevojë për forcë ushtarake për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit, por e bën këtë përmes frikës dhe kërcënimit.
“Irani nuk e demonstron me forcën e tij ushtarake bllokimin e Hormuzit. E demonstron me frikën dhe kërcënimin. Dhe ushtrimin e frikës. Përfytyroni të kishte bombën atomike dhe të vendoste traun te Hormuzi. Në këtë aspekt duhet peshuar mirë që ndërhynë apo që nuk duhet të kishin ndërhyrë”, tha Alibali.
Duke iu referuar de-eskalimit të fundit, Alibali solli shifra konkrete për të ilustruar uljen e intensitetit të sulmeve iraniane.
“Nëse në 28 shkurt Irani ka hedhur 350 raketa balistike, në 14 mars ka hedhur 25, dhe ditët e fundit përpara marrëveshjes ishin me gishtat e dorës”, u shpreh më tej ai.
Ai nënvizoi se vendimet për ndërhyrje apo mosndërhyrje duhet të peshojnë me kujdes pasojat afatgjata, sidomos në aspektin e kontrollit të Ngushticës së Hormuzit dhe sigurisë globale.
/rtsh.al/