E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Puna e SPAK e shkëlqyer, profesionistë dhe të pavarur politikisht

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka vlerësuar punën e bërë deri më sot nga prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH dhe gjyqtarët e GJKKO.

I ftuar në “Quo Vadis”, Alibeaj bëri një rezyme të punës së SPAK, duke arritur në përfundimin se prokurorët janë profesionistë dhe të pavarur politikisht.

Pjesë nga biseda:

Borakaj: Si e shikoni këtë aksion të SPAK në këtë moment?

Alibeaj: Nuk do të doja të bija në kurthin ku mund të diskutohej suksesi i një serie institucionesh të rëndësishme, duke analizuar çështje konkrete. Unë kam një këndvështrim tjetër.

Borakaj: Sa të suksesshëm ose jo janë 4 muajt e parë?

Alibeaj: Duhet të largohemi nga ideja që institucioni të personalizohet me individin. SPAK, me gjithë ato suksese, nuk ka qenë produkt i drejtuesit të dikurshëm dhe këto që mund të vijnë nuk do të jenë suksese të Klodian Brahos. Janë 20 e ca prokurorë, rreth 100 hetues të BKH-së, për të mos harruar që një pjesë të rëndësishme e kanë edhe gjyqtarët.

Këndvështrimi im për të parë nëse është i suksesshëm apo jo lidhet me disa parametra të tjerë: a janë të korruptuar apo jo. Sistemi i drejtësisë shqiptare, deri në daljen e SPAK, ka qenë joperformant; korrupsioni ishte një nga sëmundjet kryesore. Mua nuk më rezulton që të ketë simptoma, qoftë edhe të brishta, të kësaj sëmundjeje.

E dyta: a janë politikisht të orientuar? Sistemet joperformante të drejtësisë kanë gjithmonë një “lakmus”. Faktet tregojnë deri tani se, pavarësisht çfarë ka thënë politika e njërës apo anës tjetër, SPAK ka goditur majtas dhe djathtas. Pra, politikisht jo të kontrolluar.

Borakaj: Po ndërkombëtarisht?

Alibeaj: Së treti, a janë profesionistë apo jo? Ne mund të futemi në shumë labirinte, por nuk dalim dot në përfundim. Ajo që unë mendoj është se deri tani procesi i inicimit të procedimit penal, që është pushteti kryesor i prokurorisë, nuk ka të sharë. Të gjitha çështjet e debatit juridik janë reflektuar në SPAK.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›