E Diel, 1 Nëntor 2026

Alkeoni, fëmija me sëmundjen e rrallë, shpresë në spitalet turke

Mjekja Luljeta Kota pohon se këtu nuk i bëhet derman, por presin përgjigje nga Turqia. Prindërit: Jemi të varfër, nuk mundemi ta shpëtojmë

Nuk do ta besonin kurrë që sëmundja e tij është aq e rëndë sa vetëm kurimi jashtë vendit do ta shpëtonte nga kthetrat e vdekjes. Në fillim menduan se vuante nga një ftohje, por problemi i tij ishte shumë më i rëndë. Sëmundja që ka vetëm nëse do t’i bëhet transplanti i palcës së kockës do t’i shpëtonte jetën. Ky është fati i 2-vjeçarit Alkeon Margjeka, nga Tropoja, i cili ndodhet i shtruar në pavionin e Pneumo-Alergologjisë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas shefes së këtij shërbimi, (Luljeta Sërbo) Kota e cila po ndjek Alkeonin, sëmundja e tij ka të bëjë me Imunodeficiensë të qelizave të trupit dhe se kësaj sëmundjeje nuk i bëhet derman në vendin tonë. Ajo pohon se tashmë i janë bërë gati të gjitha dokumentacionet por pritet vetëm një përgjigje pozitive nga pala turke për t’i bërë transplatin. Ndërsa prindërit e Alkeonit pohojnë se jetojnë me shpresën se do të marrin një përgjigje pozitive pasi nuk kanë të ardhura për ta dërguar në mënyrë private në spitalet turke djalin e vetëm që kanë.

Prindërit

Shpresa vdes e fundit dhe lutjet që kjo shpresë të mos vdesë bashkë me djalin e tyre duket se po i mundon ata së tepërmi. Vetëm para pak muajsh, Alkeoni mundej të vraponte gjithandej edhe pse i vogël, ishte aktiv dhe nuk i linte lojërat pas dore, ndërsa tani dergjet në shtrat i sëmurë rëndë. Nëna e tij 28-vjeçare, Alma pohon se sëmundja e tij ishte e papritur dhe nuk e mendonin se ishte kaq e rëndë. “Mjekët e kuruan për ftohje, në fillim, por pas shumë ekzaminimesh u diagnostikua me sëmundje shumë të rëndë. Kjo ishte e tmerrshme për ne dhe gjendemi në udhëkryq me shpresën se shteti dhe Zoti do bëjë diçka për djalin tonë”, - pohon Alma duke theksuar se vlerëson ndihmën që i kanë dhënë mjekët. Sipas saj, vogëlushi ka patur probleme vetëm kur ka qenë 2 muajsh, por në atë kohë u kurua për ftohje dhe më pas doli nga spitali për të përfunduar përsëri sapo mbushi 2 vjeç. Ndërkohë gjyshja e Alkeonit, Hajria pohon se ai ka plot 1 muaj që vuan çdo ditë nga temperatura e lartë dhe është gjithnjë i këputur.

Varfëria

Është e tmerrshme tek shikon fëmijën që po të ikën nga duart dhe nuk je i zoti të bësh asgjë pasi varfëria na ka pushtuar familjen. Kështu shprehet Alma duke pohuar se jetojnë vetëm me rrogën e saj, që është një rrogë infermiereje tepër e vogël për të përballuar hallin që i ka zënë. Ndërsa gjyshja e Alkeonit lutet që të shpëtojë jeta e tij, pasi Alma e ka lindur me operacion dhe rrezikon të mos ketë fëmijë tjetër. “Këtij fëmije i është ndërprerë e folura , e ecura dhe buzëqeshja, lutemi që të mos i ndërpritet jeta”,- pohon Hajria të cilës nuk i thahen faqet nga lotët që i rrjedhin pa pushim.Luljeta Kote: Nuk i bëjmë derman, duhet të dalë jashtë

Sëmundja e tij është e rrallë dhe tepër e rëndë, megjithatë ka shpresa për jetën. Kështu u shpreh shefja e Shërbimit të Pneumo-Alergologjisë, Luljeta (Sërbo) Kota duke theksuar se shpresat e Alkeonit mbeten në duart e spitaleve turke. “Vuan nga Imonodeficiensa e qelizave të trupit, që do të thotë se i mungojnë limfocidet që krijojnë qelizat e trupit dhe që mbrojnë fëmijën nga infeksionet e rënda”,- shpjegon doktoresha, duke shtuar se kjo sëmundje kërkon që t’i bëhet transplanti i palcës së kockës në mënyrë që të jetojë. Për të arritur këtë ajo thekson se janë bërë gati të gjitha dokumentet nga personeli dhe Ministria e Shëndetësisë, dhe pritet një përgjigje pozitive nga pala turke. Sipas saj, këto operacione janë shumë të shtrenjta, ndaj dhe shpesh familjarët e kanë të pamundur që t’i përballojnë me të ardhurat e tyre.

Sanitaret e QSUT, protestë para Ministrisë për largimin e tyre

Sanitaret e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të cilat u larguan nga puna që nga data 1 Gusht, kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë për rikthimin e tyre në punë. Sipas tyre, ato nuk janë larguar për shkurtime vendesh, por me zëvendësimin e tyre me sanitare të tjera, gjë që është bëra pa kriter dhe është e padrejtë. “Kam burrin pa punë, jam pa shtëpi dhe më duhet të mbaj fëmijët me bukë. Ku të mbytem unë tani që do më lënë pa punë?”,- u shpreh njëra nga sanitaret, duke theksuar se do të kërkojë të drejtën e saj deri në vdekje, për nxjerrjen në rrugë që po i bëjnë me pa të drejtë. Ndërsa njëra nga koleget e saj theksoi se ka 20 vjet punë në QSUT si sanitare dhe reforma nuk ka asnjë arsye që të bjerë mbi të madje ajo akuzoi Drejtorinë e QSUT-së, se këtë largimin e tyre nga puna po e kërkojnë vetëm për të sjellë të njohurit në vend të tyre. “Jam 4 persona në shtëpi dhe jetojmë me këtë rrogë. Për këtë reformë nuk është në dijeni as Kryeinfermierja, as shefi i pavionit dhe ne na vjen fleta për t’u larguar. Kuptohet që këta po e bëjnë për të na hequr ne dhe për të sjellë njerëzit e njohur të tyre, pasi nuk është e vërtetë që sanitaret janë të tepërta në spital”,- theksoi sanitarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›