Alonso-Ferrari,martesë e mundshme
Në këtë fillimsezoni zhgënjyes, në bokset e Ferrarit vazhdon të qarkullojë emri i Fernando Alonsos. Spanjolli, dy herë kampion bote, cilësohet si piloti me të cilin "kokëkuqja" do të ringrihet në Botërorin 2010 të Formula 1. Por, martesa Ferrari-Alonso "bekohet" edhe nga Banka e Santanderit, e cila do të jetë sponsorja e re e skuadrës italiane. Në Çmimin e Madh të Bahreinit, presidenti i kompanisë iberike, Emilio Botin, është takuar për afro 20 minuta me drejtuesin më të lartë në Maranelo, Luka Kordero di Montezemolo. Javët në vijim pritet të jenë decizive për të ardhmen e Alonsos, ndërkohë që "kokë turku" te Ferrari do të bëhet njëri ndërmjet Raikonen e Masës. Botin është takuar gjithashtu me Martin Uitmarsh, pasi Santander vazhdon të sponsorizojë MekLarenin, që sot do të dalë përpara Këshillit Botëror të FIA-s për skandalin në Melburn. Ai ka zhvilluar biseda edhe me Berni Ekleston dhe Fernando Alonson, i cili nuk po paraqitet në nivele të kënaqshme, për shkak të problemeve të Renaultit.