AmCham kërkon shtyrjen e miratimit të ligjit për përpunimin e mbetjeve nga prodhuesit

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) kërkoi shtyrjen e miratimit të projektligjit “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”, për të cilin kanë nisur diskutimet në komisionet parlamentare.
AmCham përcolli në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese komentet për projektligjin e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesve.
AmCham thekson se ligji në gjendjen aktuale jo vetëm nuk është konsultuar me organizatat e biznesit, por shfaq disa mangësi teknike që e bëjnë atë të pazbatueshëm dhe për rrjedhojë nuk realizon qëllimin për të ndikuar në ruajtjen e ambientit.
“Dhoma kërkon shtyrjen e miratimit të këtij projektligji për të pasur mundësinë e reflektimit të të gjitha shqetësimeve që vijnë nga biznesi dhe që e bëjnë më efikas zbatimin e tij”, bëri të ditur AmCham.
Projektligji ka si qëllim të krijojë sistemin e përgjegjësive të zgjeruara të subjekteve prodhuese për produktet që gjenerojnë mbetje dhe të sigurojë që çdo person fizik ose juridik që zhvillon, prodhon, përpunon, trajton, shet ose importon mbi baza profesionale, produkte që gjenerojnë mbetje pas përdorimit, të mbajë përgjegjësitë për riciklimin e këtyre produkteve.
/r.e/j.p/