E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasada e SHBA-së: Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe, dritëshkurtër e përçarëse

PRISHTINË, 3 dhjetor/ATSH/ Ambasada e SHBA-së në Prishtinë reagoi sot pas moscertifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Srpska për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

Në votimin e djeshëm ndaras për certifikimin e subjekteve politike, Lista Srpska nuk u certifikua nga anëtarët e KQZ-së ku mori 2 vota pro, 2 kundër dhe 7 abstenime. /KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›