Ambasada hungareze, shah për fëmijët

Ambasada e Hungarisë në Tiranë organizoi këtë të premte turneun e parë të shahut me pjesëmarrjen e 40 fëmijëve nga shkollat e kryeqytetit. Që nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, kjo në mbështetjen e Kristaq Andonit, kanë zhvilluar konkursin e tyre mbi njohuritë e lojës së katrorëve bardhezi, por edhe kanë luajtur mes tyre. Shefi i misionit në ambasadën e Hungarisë në Tiranës, Adam Lovassy, ka treguar dhe një herë lidhjet e forta që ekzistojnë mes dy shteteve. Kjo që nga koha e Skënderbeut me Janosh Huniadin, apo kur Mbreti Zog bëri krushqi në Hungari duke u martuar me mbretëreshën Geraldinë
“Së pari më duhet t’ju them se jam i kënaqur për pjesëmarrjen tuaj në këtë aktivitet. Më duhet të falënderoj mikun tim, zëvendësministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, Federatën Shqiptare të shahut, apo të gjithë ato që bënë të mundur këtë aktivitet. Ju jeni e ardhmja dhe jam i bindur se do të bëni mirë në këtë sport. Ky aktivitet do të jetë i përvitshëm”, ka deklaruar shefi i misionit në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë, Adam Lovassy
Lovassy dhe Hoxha kanë luajtur dhe një ndeshje mes tyre, por numri dy të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me sportin e katrorëve bardhezi janë të rëndësishme.
“Ju jeni fëmijë shumë të mirë. Disa prej jush i njoh sepse i kam patur dhe sportistët e mi. Sporti i shahut është sporti i mëndjes dhe është një sport që ju mëson juve të jeni më të edukuar, por edhe më të zgjuar duke u rritur si fizikisht, ashtu dhe mendërisht”, ka pohuar Hoxha.
Edhe sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinci, e vlerëson si të mirëpritur këtë aktivitet, ndërsa janë të hapur gjithnjë në bashkëpunimet me ambasadat në Tiranë.
“Sigurisht që kanë vlerën e tyre jo vetëm për promovimin e sportit të shahut në shkolla apo tek fëmijët e moshës së shkollës, por edhe gjithashtu për bashkëpunimin dhe partneritetin që ato zhvillojnë me Federatën Shqiptare të Shahut”, tregon sekretarja e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinci
Në fund medalje e Kupa për më të mirët e këtij aktiviteti.