E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, përplasje mes Presidencës e Parlamentit

Deklaratës së Presidentit të Republikës, Bamir Topi se nuk do të dekretoj emra diplomatësh me profil politik, i ka kthyer përgjigje kryetari i Komisionit të Jashtëm parlamentar. Fatos Beja thotë për "AS" se nuk ka pasur kandidatura politike në trupin diplomatik dhe nuk e kupton qëndrimin e fundit të Presidentit për këtë çështje.

"Të them të drejtën unë nuk e di se cilët janë personat të cilët ende nuk e kanë marrë firmën e Presidentit. Është në përgjegjësinë e presidentit për ta bërë këtë dhe nëse e ka shpallur publikisht duhet të shpalli dhe emrat, në mënyrë që publiku të jetë i informuar", tha Beja. Deputeti Beja thotë se në trupin diplomatik nuk ka emërime politike, por stafi i saj është ndër më të kualifikuarit, pavarësisht akuzave që opozita lëshon në adresë të diplomacisë shqiptare.

"Përtej diskutimeve me karakter politik, unë mund të kujtoj që dhe ju ftoj të merrni ambasadorët që janë në të gjitha vendet, që në Ministrinë e Jashtme dhe në ambasadat tonë, në mënyrë të veçantë titullarët, mishërojnë historinë e diplomacisë së fundit shqiptare. Kemi aty ambasadorë që kanë filluar karrierën e tyre diplomatike në vitet 80, kemi ambasadorë që kanë filluar punën e tyre, marrëdhëniet e tyre me ministrinë e jashtme në vitet 90 dhe në vitet 2000. Pra, edhe ambasadorët, që dalin nga kuadri i ministrisë së Jashtme, mishërojnë individë me aftësitë që janë gjykuar të përshtatshme për të  përfaqësuar Shqipërinë, me kompetenca profesionale, me përvojë në diplomaci dhe njëkohësisht edhe me një performancë publike, sipas vendeve në të cilën do përfaqësojnë Shqipërinë", tha Beja.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2012, priten emërime të reja në trupin diplomatik shqiptarë. Ambasadorët e rinj emërohen nga Këshilli i Ministrave, i dërgohen komisionit të Jashtëm në seancë dëgjimore dhe më pas presin firmën e Presidentit për dekretim. E gjithë kjo procedurë referuar qëndrimeve të fundit pritet të krijojë tension mes tri institucioneve më të larta të vendit. /Start/

                                                                                             2012-01-09 08:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›