Ambasadori i OSBE flet në Vjenë për Shqipërinë, NOA boton raportin e plotë

Vjenë, 22 tetor, NOA - Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, mban sot në Vjenë raportin vjetor përpara Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
Sipas të dhënave nga prezenca e OSBE, për agjencinë e Lajmeve NOA, ky raport përmban të dhëna mbi të gjitha zhvillimet politike të këtij viti në Shqipëri, por i referohet kryesisht procesit të fundit zgjedhor që u mbajt në vendin tonë në 28 qershor.
Duke i dhënë një vend të veçantë edhe prezantimit të situatës politike lidhur me momentin e rëndësishëm të anëtarësimit të vendit tonë në NATO apo edhe paraqitjen zyrtare nga ana e Shqipërisë të kërkesës për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, këto cilësohen si dy evenimente të rëndësishme të jetës politike shqiptar të shënuara gjatë
këtij viti.
Ndërsa zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu si edhe në raportin përfundimtar të publikuar prej ekspertëve të OSBE/ODIHR-it rreth tyre, citohet se kanë patur arritje të konsiderueshme, por gjithsesi ka vend për përmirësime.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së dhe shënuan një
progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit,
kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i
përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Megjithatë, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, siç thotë raporti, të mos e realizonin plotësisht potencialin e Shqipërisë për tiu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike, citon konkretisht raporti që ambasadori i OSBE, Robert Bosch do të lexojë sot para drejtuesve të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Vjenë.
Më poshtë lexoni të detajuar raportin e prezantuar prej Bosch:
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë/ Prezenca në Shqipëri
RAPORT I KREUT TË PREZENCËS SË OSBE-SË NË SHQIPËRI MBAJTUR PËRPARA KËSHILLIT TË PËRHERSHËM TË OSBE-SË, MË 22 TETOR 2009
HYRJE
Qysh prej Raportit Vjetor të vitit të kaluar, Prezenca i ka ndjekur me përpikëri udhëzimet e dhëna nga Shtetet Pjesëmarrëse dhe nga Sekretariati, duke pasqyruar prioritetet e vendit
pritës. Duhet ti shprehim mirënjohjen tonë vendit pritës dhe në veçanti Ministrisë së Punëve të Jashtme për mbështetjen e fortë gjatë vitit të kaluar, e cila e ka lehtësuar mjaft punën e Prezencës. U jemi mirënjohës edhe organeve të tjera të Qeverisë, Presidencës, Zyrës së Kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe të gjitha atyre institucioneve të tjera shtetërore, me të cilat Prezenca ka bashkëpunuar aktivisht. Së fundi, u shprehim falënderimet tona të gjithë
atyre institucioneve shumëpalëshe dhe shteteve pjesëmarrëse, të cilat kanë financuar
programet tona. Sa u përket vizitorëve të rëndësishëm, ngjarja kryesore ishte padyshim vizita e Kryetares së atëhershme të Radhës të OSBE-së, Dora Bakojani, në shkurt 2009, e cila kontribuoi ndjeshëm në forcimin e marrëdhënieve me vendin pritës. Gjatë zgjedhjeve
parlamentare, Prezenca mbështeti veprimtarinë e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të
OSBE/ODIHR-it, si dhe vizitën e Drejtorit të ODIHR-it J. Lenarçiç. Prezenca, gjithashtu,
mbështeti vizitat e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuara nga Presidenti J. Soares dhe Zëvendëspresidenti i saj W. Grossruck.
Ky raport përmban një paraqitje të përmbledhur të zhvillimeve kryesore politike dhe të
programeve të vitit të kaluar, për aq sa ato kanë të bëjnë me mandatin tonë. Zhvillimet
kryesore për vendin ishin, pa dyshim, hyrja në NATO më 1 prill 2009 dhe paraqitja e kërkesës për statusin e vendit kandidat të BE-së më 28 prill 2009, ngjarje që ngjallën shpresa të mëdha në opinionin publik. Sa u përket ngjarjeve kryesore politike, të lidhura me punën e OSBE-së në përgjithësi dhe të Prezencës në veçanti, më e rëndësishmja ishte mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Raporti Përfundimtar i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it mbetet analiza bazë e këtyre zgjedhjeve.
ZHVILLIMET KRYESORE POLITIKE
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së dhe shënuan një
progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit,
kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i
përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore. Megjithatë, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, siç thotë raporti, të mos e realizonin plotësisht potencialin e Shqipërisë për tiu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Përgatitjet zgjedhore nisën më 29 dhjetor 2008, pas miratimit me shumicë dërrmuese të Kodit
të ri Zgjedhor nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në vijim të miratimit me konsensus të ndryshimeve në Kushtetutë, në prill të të njëjtit vit. Pa dyshim, eliminimi de facto i dukurisë të Dushkut dhe i rirenditjes paszgjedhore të kandidatëve u panë si një tjetër hap përpara. Sa i përket regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve, për të parën herë, lista e zgjedhësve u nxor nga baza e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Me gjithë pretendimet e Partisë Socialiste, partisë më të madhe opozitare, për shumë pasaktësi në këto lista, duket se numri dhe natyra e rasteve të raportuara i hidhnin poshtë këto pretendime. Cilësia e këtyre listave u përmirësua ndjeshëm deri në ditën e zgjedhjeve. Sa u përket dokumenteve të identifikimit të zgjedhësve, procesi i drejtuar nga qeveria për pajisjen e shtetasve me karta identiteti ishte në pjesën më të madhe të tij i suksesshëm. Shqetësimet e PS-së rreth kapaciteteve për prodhimin e një numri të mjaftueshëm kartash ishin në pjesën më të madhe të pabazuara, ashtu sikurse edhe pretendimet e saj për ndërhyrje të Partisë Demokratike (PD) në procesin e kartave të identitetit. Sfidat që vërtet ekzistonin kishin të bënin më shumë me afatet kohore tejet ambicioze e tepër të shkurtra (të cilat nuk lanë hapësirë kohore për trajnimin në kohë të personelit që merrej me lëshimin e kartave të identitetit), me një debat të zgjatur rreth çmimit të kartave, me shifra shpesh kontradiktore gjatë procesit, si dhe me një
lloj ngurrimi për vënien në dispozicion të të gjitha të dhënave përkatëse. Përgjithësisht,
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i administroi përgatitjet zgjedhore me
profesionalizëm dhe përgjithësisht brenda afateve ligjore, po të kihet parasysh fillimi me
vonesë i tyre. Me gjithë përpjekjet e bëra për të punuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, debatet brenda KQZ-së shpesh ndaheshin sipas linjave partiake. E drejta e shumëpërdorur e partive politike për ti zëvendësuar komisionerët e tyre sipas dëshirës pati një ndikim negativ në efikasitetin e punës së komisioneve zgjedhore. Me tu krijuar, ato u dominuan nga dy partitë kryesore, në të mirë, deri diku, të partnerëve të tyre më të vegjël në