E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i SHBA dhe Partia Demokratike

World democracy was the secret dream of the great classical philosophers. ...Thousands of years before Columbus they were ... aware of the existence of our Western Hemisphere and selected it to be the site of the philosophic empire. ...
The brilliant plan of the Ancients has survived to our time, and it will continue to function until the great work is accomplished. ...".
("Demokracia botërore ka qenë një ëndërr e fshehtë e filozofëve të mëdhenj klasikë. Këta ishin të ndërgjegjshëm, qysh mijëra vjet përpara Kolombit, mbi qenësinë e Hemisferës Perëndimore dhe e patën zgjedhur atë që të ishte një platformë e perandorisë filozofike… Plani madhështor i të lashtëve po mbijeton deri në ditët tona dhe do të vazhdojë të frymojë derisa të jetë kryer vepra e madhe…"). Këto fjalë madhështore janë thënë për SHBA nga filozofi dhe dijetari i madh amerikan, frimasoni i niveleve të larta, Manly Palmer Hall. Platoni me 'Republikën' e tij ishte pararendësi i lashtë i shquar i një rendi të kontrolluar nga një qendër botërore, i ndjekur më pas nga shumë idhuj të tjerë të kësaj çështjeje, deri me të shquarin John Ruskin, profesorin e madh të Oksfordit në shekullin e 19-të, mësuesin e K.Marksit dhe Cecil Rhodes-it, ky i fundit themelues i Iluminatit britanik.
1. I cituam këto fjalë të mëdha të thëna për SHBA, për të kuptuar se roli i saj në politikën botërore është determinant për të mos lejuar që bota të bjerë në kaos dhe që qiriri qytetërimor të mos shuhet. Kështu është parë qysh pas Luftës së Madhe roli i SHBA nga shqiptarët, me përjashtim të kohës së Luftës së Ftohtë kur vendi ynë u rreshtua fatkeqësisht, pa dëshirën e shqiptarëve, me Lindjen e Perdes së Hekurt. Pas ndryshimit të sistemit në vitet '90 dhe pas hapjes së vendeve ish-komuniste, gjithnjë e më shumë po shihej nga popujt, si një fanar në errësirë, rritja e rolit dhe ndikimit të SHBA në këtë rajon. Në vendin tonë ambasada e SHBA u hap në fillim të tetorit të vitit 1991 me të ngarkuarin me punë ad interim,
z. K.Hill, të pasuar nga ambasadori i parë pas rënies së komunizmit, z. U.Rajerson më 21 dhjetor 1991, i cili qëndroi në fuqi deri në korrik të vitit '94, i zëvendësuar deri në mars të '96 nga z. J.Lake. Ky i fundit u pasua nga znj. M.Lino, e cila ishte ambasadorja e kohës së agravimit të krizave piramidale dhe qëndroi në detyrë deri në maj të '99-ës. Më pas, me periudha 2-3 vjeçare kanë pasuar këta ambasadorë: z. J. Limpreht, z. F.Jeffrey, znj. M.Ries, z. J.Withers II, dhe në 10 dhjetor 2010 është betuar ambasadori i nëntë dhe i fundit në fuqi, z. A.A.Arvizu.
Në fakt, në Shqipëri, lidershipi politik i të dy krahëve të politikës së viteve '90-të, i ardhur nga PPSH ose Sigurimi i Shtetit, ishte i detyruar të hiqej si properëndimor, dhe këtë kameleonizëm të tyre SHBA e dinin mirë. Këta, më tepër sesa flirtonin me Perëndimin dhe SHBA, siç paraqiteshin, bënin një diplomaci të pabesë. Shprehja "kërcen prifti nga belaja" ishte shprehja që i shkonte më për shtat këtij lidershipi në gjithë aktivitetin e tij politik në vitet e tranzicionit. Rrënjët e kultivuara nga lashtësia dhe sëmundja e trashëguar nga 'sindroma e majmunit të 100', të mësuar nga geni mijëravjeçar i luftës në territoret tona mes Orientit e Oksidentit në 'vijën e Teodosit', e përforcuar kjo traditë me ndikimet ideologjike komuniste antiperëndimore të dy brezave në kohën e Luftës së Ftohtë, kanë sjellë si pasojë inkadeshencën inatçore të marrëdhënieve në ballafaqimet e këtij lidershipi me SHBA në këtë periudhë, madje edhe deri sot. Si ilustrim, të gjithë kemi parë reagimet e fundit të titullarëve përfaqësues të rrymave të ndryshme në PD kundër SHBA (pavarësisht se duket sikur këta e kanë vetëm me 'gafat dhe anësinë' e ambasadorit Arvizu). Për këtë u shfrytëzua një deklaratë e saktë e ambasadorit, i cili i vlerësoi zgjedhjet e qershorit 2013, për nga rëndësia, të ngjashme me ato të vitit 1992, duke pasur parasysh jo palët që ikën dhe ata që erdhën në pushtet në këto dy raste, por duke pasur parasysh nivelin e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve nga palët. Me këtë krahasim ai kërkon stabilitetin e mandatit të parë të socialistëve nga ndonjë rrezik i ardhshëm i kontestimit demokrat të zgjedhjeve të fundit, duke shprehur mosaprovimin e SHBA për një skenar të tillë të mundshëm destabilizues në Kuvend. Por këtë tipar të dyzuar si shumë pro SHBA, nga njëra anë, e ka treguar ky lidership sa herë që njëra palë e tij ndodhej në pushtet dhe, sa herë që dilte pas disa viteve në opozitë, ata i janë sulur SHBA, ose direkt, ose në mënyrë të kamufluar - kinse ambasadorëve, - duke u përpjekur si diplomatë e politikanë sharlatanë, të ndajnë axhendën e veprimeve të ambasadorit nga axhenda e SHBA, gjë të cilën çdo naiv e kupton se nuk është e mundur të ndodhë, pasi ambasadorët e këtij shteti që kontrollon me imtësi çdo veprim të zyrtarëve të vet, nuk mund t'i bien njëri gozhdës e tjetri patkoit. Këtë zakon negativ e qesharak e futi i pari ish-kryeministri komunist, z. F.Nano, i cili, mllefin e vet të drejtpërdrejtë antiamerikan, pas daljes në opozitë në vitin 1992, qëlloi që e pagoi me ca vite burg. Çarja e dytë e madhe e këtij lidershipi punist me SHBA, ashtu si nuk pritej, ndodhi në dimrin e 1996-1997, kur vendi hyri në krizën e piramidave financiare dhe shteti i demokratëve të Berishës së parë ra në kaos e kolaps total. Natyrisht që z.Berisha është lojtar më i sofistikuar se paraardhësi i vet i majtë dhe pahsvanët e vet dhe ai doli në lojën e vet të natyrshme duke i sulmuar indirekt, me këta të fundit, SHBA. Por SHBA ka axhendën e vet afatgjatë. Ajo ngjet me një luan në savanë që ndjek gjahun e instinktet e veta, dhe çakajtë e dhelprat që ulërijnë, bashkë me këlyshët e tyre atypari, nuk kanë se çfarë t'i bëjnë. SHBA-të kishin qenë vitale për pushtetin e demokratëve në vitet 1992-'96. Edhe në ish- Jugosllavi ato luftuan për të ngritur dinjitetin e shqiptarëve me në krye I.Rugovën. Madje ato lejuan PD që të realizonte embargon e naftës mbi Serbinë e bllokuar në të gjitha anët, me qëllim që vendi ynë të fitonte pak valutë nga serbët për të mbajtur ekonominë e vet me buxhetin e 'armikut'. Por lidershipi punist blu me në krye S.Berishën nuk pranonin të bashkëpunonin me çetat e para të UÇK-së, me qëllim për t'i furnizuar ato me armë nga magazinat e Ushtrisë. Z.Berisha u lidh me krahun rugovian për rezistencë paqësore. Por mendimet dhe qëllimet e Rugovës ndryshonin nga ato të z.Berisha. Z.Rugova ka dyshuar nëse NATO do ta mbante fjalën për të intervenuar ushtarakisht mbi caqet e ish-Jugosllavisë, nisur nga ideja se serbët në të dyja luftërat botërore kishin qenë aleatë të britanikëve dhe francezëve, kurse shqiptarët ishin konsideruar më afër qëllimeve të Gjermanisë, e cila na kishte mikluar për të dalë nëpërmjet territoreve shqiptare drejt vendeve me rezerva të mëdha energjetike. Z.Rugova, si historian i mirë që ishte, e dinte se Çamëria u shpërngul gjysmë shekulli më parë nga tokat e veta në Epirin e Jugut dhe Thesprotia, nën sytë dhe ndikimin e ushtarakëve të lartë britanikë. Kurse z.Berisha, si një ish-komunist fanatik, ka gjasa që kërkonte, ashtu si edhe z.Nano, "Ballkanin për ballkanasit". Në fakt, tri vitet e fundit të viteve '90, ishin llogaritur nga SHBA që Shqipëria të ishte nën një kaos të kontrolluar, me qëllim që në këtë terren të hapeshin depot dhe të realizohej furnizimi i trupave të UÇK-së me armë të lehta nga depot e Shqipërisë, të cilat do të futeshin kontrabandë nga kufiri.
2. Po të shikohet me kujdes, ambasadorët amerikanë kanë pasur tipare individuale të ndryshme. Disa prej tyre kanë ushtruar rolin e tyre të rëndësishëm pa protagonizëm, duke futur më shumë në lojë me Tiranën zyrtarët e lartë të administratës së Shtëpisë së Bardhë, për t'u dhënë detyrat e shtëpisë qeverive shqiptare, të cilat shpeshherë kanë qenë me busull të prishur dhe në këtë kakofoni të politikës së dy dekadave të fundit, disa syresh ishin më shumë burokratë sesa i kishin mundësitë për të qenë protagonistë. Disa prej tyre dukej sikur mezi prisnin të largoheshin nga ky vend i vogël ku i kishin hedhur zaret e këqija të Sekretarëve të Shtetit. Pak të tjerë kanë qenë shumë aktivë. Duke përjashtuar znj.M.Lino, e cila, aktivitetin e saj sfidues e të kudogjendur e shoqëronte ngado me një buzëqeshje cinike ose sarkastike, ndoshta z. A.Arvizu ka qenë ambasadori që ka punuar me një kalendar e axhendë shumë efektive për gjallërimin e ruajtjen e ekuilibrave dhe stabilitetit të Shqipërisë, dhe për këtë ai duhet falenderuar me një respekt të madh si askush tjetër para tij. Këtë fillim nëntori ai mbush 3 vjet aktivitet në Shqipëri. Ai është 'mallkuar' nga socialistët në fillim të aktivitetit si një "demokrat" i thekur dhe tani së fundmi, ashtu si nuk pritej, është akuzuar për të disatën herë si diplomat i njëanshëm dhe si një "socialist" që ka interesa të vogla personale me E.Ramën dhe socialistët! Më së paku janë dy personalitete të larta politike e historike të PD që kanë rënë në këtë gafë e amatorizëm të rëndë, si dhe një zyrtar i lartë buzëqumësht i Ministrisë së Jashtme, në komunikimin e tyre publik nëpërmjet rrjeteve sociale. Nëse i bëjmë një biografi të shkurtër aktivitetit të z.Arvizu dhe axhendës së tij, natyrisht që do të biem pak a shumë dakord me këto që thamë. Kur erdhi z.Arvizu në Tiranë, e gjeti politikën e brendshme në një prag kaosi e armiqësi të madhe. Vendi po përjetonte ankth dhe acarim prej militantëve të politikës, mbi bazën e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Para 2,5 vjetësh vendi kishte dalë nga një tragjedi dhe aferë e madhe ("Gërdeci"), me pasojë disa dhjetëra të vrarë. Kishte pasur akuza për afera korruptive në disa investime të mëdha me fonde publike. Ndërkohë që një media private kishte denoncuar kreun e LSI si të përfshirë në korrupsionin e qeverisjes nëpërmjet një xhirimi të fshehtë prej ministrit të vet të Ekonomisë dhe Energjetikës, të cilin e detyronte për tanxhente. Në skrivaninë dhe axhendën e z.Arvizu dukej se në atë kohë ishin hedhur prej stafit të tij disa pika të cilat ai i shqyrtoi e realizoi me sukses: a) të mbështetej vazhdimësia e qeverisjes së demokratëve për gjithë mandatin e dytë 2009-'13 dhe të zbutej e majta në veprimet e saj opozitare ekstreme; b) të mbroheshin institucionet e shtetit dhe të ruhej rendi publik nga rënia në anarshi; c) të organizoheshin pa kontestime të gjera zgjedhjet lokale dhe të kryhej rotacioni në kryebashkinë e Tiranës të mbajtur për disa mandate nga E.Rama; d) të organizoheshin zgjedhje të përgjithshme efektive dhe të realizohej rotacioni i mazhorancës me të gjitha mënyrat; e) të realizohej largimi i z.Berisha nga politika 23-vjeçare dhe të ruhej vitaliteti i opozitës me një lidership të ri. Dihet se ideatori i aleancave parazgjedhore ka qenë z.Arvizu, aleanca të cilat krijuan një mazhorancë të re. Gjithashtu, z.Arvizu tërhoqi z.Berisha nga një skemë e vonuar e tij për kontestimin e pjesshëm të zgjedhjeve, për të shtyrë edhe ca kohë qëndrimin e qeverisë së tij në pushtet, derisa të realizoheshin procedurat ankimuese. Dhe të gjitha këto veprime që do të sillnin stabilitet dhe qetësi mes palëve që haheshin si qentë e paduruar për të rrëmbyer cofëtinat e majme që sjell pushteti, duhej të realizoheshin brenda mandatit të tre vjetëve që kishte z.Arvizu. Nëse i shikojmë me kujdes, të gjithë këtë axhendë z.Arvizu e ka realizuar me një protagonizëm të veçantë, me një qëllim shumë pozitiv ndaj Shqipërisë e shqiptarëve dhe është shumë qesharake që, të paktën ky ambasador inteligjent, me të gjitha objektivat e vështira të realizuara, të kryqëzohet nga lidershipi ende në pushtet i PD.
Pra duket se edhe ky ambasador 'i keqkuptuar' nga lidershipi politik, nuk i shpëtoi forcës së zakonit nga shqiptarët. Ai u silurua si "antisocialist" nga E.Rama më 2011-ën, i cili, me skemat e veta kaotike nuk shkulej nga kryebashkia. Ai u silurua si demokrat kur më 21 janar të këtij viti doli në krah të kryeministrit Berisha dhe Policisë së Shtetit në misionin e saj për të mbrojtur Kryeministrinë, ndërsa turmat e dhunshme sulmuan me mjete rrethanore këtë institucion dhe forcat e rendit. Me të njëjtin kut qesharak duket se edhe zyrtarët e fundit po e sulmojnë z.Arvizu. Z.Berisha nuk mund të lajë duart si Pilati nga këto deklarata të papërgjegjshme dhe aspak mirënjohëse të bashkëpunëtorëve të tij ndaj këtij diplomati shumë të aftë e me energji pozitive ndaj stabilitetit të vendit tonë. Ai nuk mund të justifikohet me shprehjen se "lepujt tani kanë dalë nga vatha dhe s'ka çoban që i kontrollon". Për qëndrimin e tij të pajustifikuar antiamerikan më kujtohet një histori e diktatorit E.Hoxha, të cilën duhet ta dinë më me hollësi vetë z.Berisha dhe z.Tritan Shehu: "Kur diktatori ishte njëherë me pushime në Pogradec, u sëmur nga sëmundja e sheqerit dhe kërkonte vetëm doktorin e tij, Y.Popa, për të punuar me reanimatorët. Ky i fundit u vonua pak, pa llogaritur kohën e rrugës Tiranë-Pogradec, dhe i habitur, diktatori Hoxha e pyeti: - Po ç'u bëre more Ylli? - Ja, sh.Enver, isha deri te shoqja Lenka (Çuko) se ishte pa qejf.
- Ç'po më thua, bre Ylli?! Për këtë u vonove?! Po unë shoqen Lenka një dekret e kam, bre. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›