Ambasadori i SHBA merr detyrën/ Eric Wendt, në Pallatin e Brigadave me Begajn, një orë takim kokë më kokë

Ambasadori i ri i SHBA, Erict Wendt nis zyrtarisht misionin diplomatik në Shqipëri.
Këtë të shtunë, ambasadori Wendt, i shoqëruar nga një eskortë e madhe policie, i dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Dhe puna filloi menjëherë. Ambasadori amerikan zhvilloi një takim informal 90 minuta me kreun e shtetit në Pallatin e Brigadave.
Por kush është Eric Wendt?
I lindur në vitin 1964 në Kaliforni, Erict Wendt ka shërbyer prej vitit 1986 në ushtrinë e SHBA dhe në 34 vite karrierë ushtarake ka arritur deri gradën e gjenerallejtnantit me 3 yje.
Ai ka shërbyer kryesisht në forcat speciale “Beretat e Gjelbra” dhe si komandant në disa misione ushtarake amerikane në mbarë botën, ndërsa fillimet si diplomat i ka nisur në vitin 2017 si koordinator i sigurisë së SHBA për autoritetin izraelito-palestinez deri në vitin 2019.
Në vitin 2020, Presidenti Trump e nominoi Wendt për ambasador të SHBA në Katar, por nuk u miratua për shkak të ndryshimit të administratës. Në prill të vitit 2026, Trump iu rikthye nominimit të Wendt, kësaj radhe për ambasador në Shqipëri.
Në maj, Wendt doli para Senatit amerikan duke shpallur 4 prioritetet e tij si kandidat për ambasador amerikan në Shqipëri. Në muajin gusht, Wendt mori miratimin e Senatit amerikan.
Prej qershorit të vitit 2023, me largimin e ambasadores së fundit Yuri Kim, selia diplomatike amerikane në Tiranë prej 3 vitesh mbeti pa ambasador. U drejtua përkohësisht nga e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy Van Horn.
Eric Wendt do të jetë ambasadori i 11-të amerikan pas rënies së komunizmit dhe i 16-ti në historinë e shtetit shqiptar. Por ardhja e tij tani, mund të shënohet si fillimi i epokës “Trump 2” në Shqipëri.
Dhe Wendt vjen në një moment kur emri i Trump shkaktoi një protestë pa kufij global e cila zgjat ende e sot prej 120 ditësh. Ambasadori amerikan e ka mbajtur një qëndrim të qartë për këtë çështje që në Senat.
“Nuk jam njohur me investime të familjes Trump në Shqipëri, nëse bëhet fjalë për ndërhyrje personale mund t’i pyesni vetë ata. Unë di që puna ime si ambasador i SHBA është të mbështes bizneset amerikane. Unë sigurohem që gjithçka po realizohet në mënyrën e duhur, po respektohet ligji”, tha Eric Wendt.
Vetë ambasada gjatë 120 ditëve të protestës kundër Zvërnecit nuk bëri asnjë reagim. Me ardhjen e ambasadorit të ri, ndryshimi erdhi që në ditën e parë. Ambasada amerikane, në postimin e saj të parë nën drejtimin e Eric Wendt, “renditi si përparësi objektivat e administratës së Donald Trump me Shqipërinë, duke nisur me fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”
Dhe duket se Shqipëria është në linjëzim të plotë me administratën Trump, pasi vetëm 1 ditë më parë kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku foli për të njëjtat përparësi.
“Që PBB-ja jonë është 30 miliardë dollarë, por më duhet t’i thoja që nisëm me 12 miliardë, janë vetëm 10 vjet, është rritur me 2.5 herë dhe do të rritet edhe më shumë. Por si? Duke sjellë më shumë investime dhe po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda jo vetëm me projektin e famshëm, por edhe të jashtëzakonshëm Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha që kemi në proces e sipër”, tha Rama.
Dhe mes dy ditëve, njërës së Ramës në Nju Jork, tjetrës së Wendt në Tiranë, kuptohet se nuk ka asnjë fjalë qoftë për korrupsion, qoftë për Zvërnec, prioritet i SHBA në Shqipëri mbeten siguria, rritja ekonomike dhe lufta kundër krimit.
/abcnews.al