Ambasadori i ri i SHBA takon Ramën. Ambasada amerikane: Diskutime për thellimin e bashkëpunimit për mbrojtjen dhe luftën kundër krimit të organizuar

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, nisi zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Tiranë para pak ditësh.
Në kuadër të takimeve të para pas marrjes së detyrës, Wendt është takuar me kryeministrin Edi Rama. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe fotografi nga takimi me ambasadorin e ri amerikan.
“Welcome. Takimi i mirëseardhjes së Ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, Eric Wendt”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ambasada Amerikane po ashtu ka reaguar lidhur me takimin e Wendt me Ramën, teksa bën me dije se diskutimet u përqëndruan në thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar.
“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku. Ambasadori Eric Wendt u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”, shkruhet në postimin e ambasadës amerikane.
Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj më 26 shtator, duke nisur zyrtarisht misionin e tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara. Ai pason në këtë detyrë Yuri Kim, e cila u largua nga posti në qershor të vitit 2023. Që prej largimit të saj, misioni diplomatik amerikan në Tiranë u drejtuaa nga Nancy VanHorn, në cilësinë e të ngarkuarës me punë.
/rtsh.al/