E Martë, 3 Nëntor 2026

Ambasadorja franceze nga Shkodra: Franca s’ka bllokuar rrugën drejt BE, Shqipëria të vijojë përmirësimet

“Shqipëria duhet të bëjë përmirësime të vazhdueshme dhe të shpejta për t’u integruar në BE”. Kështu u shpreh ambasadorja franceze në vendin tonë Katerin Suard,( Catherine Suard) nga Shkodra.

Ambasadorja sqaroi që Franca ka kërkuar metodologji të re për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE, por kurrsesi të bllokojë procesin e tyre drejt familjes evropiane.

“Ju u referoheni ngjarjeve të shkuara por dua t’ju them se Franca nuk është se ka bllokuar procesin e integrimit të BE në Shqipëri por ka kërkuar një qasje për një metodologji të re. Do doja të përmendja vizitën e Macron në Shqipëri së fundmi dhe ai gjatë gjithë vizitës së tij ka përmendur mbështetjen e Francës për Shqipërinë sa i përket integrimit në BE. Gjatë këtij mandati që sapo e kam filluar jemi në mbështetje të integrimit të Shqipërisë dhe po punojmë për këtë. Dëshiroj të nënvizoj edhe vizionin që kemi për Evropën, për një Evropë të fortë dhe normalisht edhe një Shqipëri të fortë. Shqipëria duhet që të bëjë përmirësime të mëtejshme, të vazhdueshme dhe të shpejtë”, tha Suard

Këto deklarata ambasadorja e Francës i bëri gjatë një aktiviteti në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Aktiviteti ishte i organizuar nga Aleanca Franceze ku në fokus ishin gërmimet arkeologjike në luginën e Drinit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›