E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja gjermane Holtkemper: Integrimi bazohet në merita

Gazeta Shqip

Që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat në këndvështrimin e shtetit gjerman kjo duhet të arrihet në bazë të meritës. Në një intervistë për Top Channel ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, thotë se integrim do të thotë zbatim i 12 prioriteteve. Ambasadorja është shprehur optimiste se dy partitë e mëdha politike do të bashkëpunojnë për miratimin e tre ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave në Parlament.

“Unë mbetem shpresë plotë që klasa politike shqiptare do të frymëzohet nga fryma e festimeve kombëtare, për të arritur zgjidhjen e çështjeve të mbetura, për të mirën e shqiptarëve. Ju duhet të jeni krenar për historinë pasi siç edhe unë e kuptoj në të shkuarën baballarët që themeluan shtetin tuaj tejkaluan problemet fetare, politike dhe shumë ndarje që ekzistonin për një qëllim të përbashkët. Kjo shpresoj të shërbejë si diçka frymëzuese për sot. Shqipëria ka bërë një progres të madh, gjë e cila është reflektuar në progres raportin e Komisionit Europian, por natyrisht mbetet disa çështje të cilat janë detajuar në progressraport. Ne si gjermanë dhe disa partnerë të tjerë besojmë se progresi i arritur deri më tani në fushën e legjislacionit tashmë duhet të kthehet në zbatim, pra në praktikë. Janë disa fusha me shumë rëndësi për ne si zbatimi shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar. Mendoj se është e mundur në realizimin e progresit të duhur. Është nënvizuar në raportin e Komisionit Europian se disa çështje kërkojnë të realizohen krahas ligjeve që presin të miratohen. Më lejoni ta ritheksoj, është koha për zbatimin e tyre”, theksoi ambasadorja Holtkemper.

E pyetur për pozicionin e Gjermanisë pas rekomandimeve të 10 tetorit nga Komisioni Europian, ambasadorja Holtkemper është shprehur: “Natyrisht që Qeveria gjermane e ka pozicionin e saj. Për momentin jemi në negociata me partnerët tanë. Mund t’ju them vetëm se nga ana jonë premtimi për vendet e Ballkanit, për t’ju bashkuar BE-së qëndron, siç edhe qëndroi në vitin 2000. Ne me projektet dhe vendosmërinë tonë, së bashku me partnerët tanë jemi në krah të Shqipërisë për të plotësuar të gjitha kushtet që kërkohen për t’u bërë vend anëtarë. Është një proces bazuar në meritë”.

30 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Ambasadorja gjermane Holtkemper: Integrimi bazohet në merita burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›