E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Amerigo Vespucci” në Durrës, veliera legjendë e Marinës Italiane hapet për publikun

Veliera italiane “Amerigo Vespucci”, anija-simbol e Marinës Italiane, është ankoruar në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit  ku do të qëndrojë deri në 10 prill, e hapur për publikun shqiptar dhe vizitorët ndërkombëtarë. Anija ikonike sjellë me vete hijeshinë e një epoke që nuk shuhet kurrë.

“Amerigo Vespuci” është e njohur për stilin e saj të veçantë klasik, për velat që ngrihen si simbole krenarie dhe për detajet që e bëjnë një muze në lëvizje. E përdorur për trajnimin e kadetëve të Akademisë Detare Italiane, “Vespucci” ndalet në portet më të rëndësishme të botës – dhe këtë herë, ndalesa e saj është Shqipëria.

Me gjatësi mbi 100 metra, tre direkë dhe më shumë se 2,800 metra katrorë vela, ajo është një prej anijeve me vela më të mëdha dhe më elegante në botë.

Me strukturë të ndërtuar në stilin tradicional të shekullit XIX, por me elementë modernë për sigurinë dhe navigimin, “Amerigo Vespucci” është një kombinim i rrallë mes artit detar dhe funksionalitetit ushtarak.

Në karrierën e saj afro 100-vjeçare, ajo ka përshkuar oqeanet e botës, ka vizituar portet më të rëndësishme ndërkombëtare dhe është pritur me nderime të veçanta si simbol i miqësisë, diplomacisë detare dhe kulturës italiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›