Amfiteatri Antik i Durrësit, kthehet në kinema verore me filmin “La Bataille de Solférino”

TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Qytetarët e Durrësit si dhe vizitorët e tij, do të shohin ditën e enjte se si Amfiteatri Antik do të shndërrohet në një kinema verore.
Mbrëmjen e datës 18 korrik, në Amfiteatër do të shfaqet filmi “La Bataille de Solférino” të Justine Triet, filmi i saj i parë me metrazh të gjatë. Filmi do të jetë me titra në gjuhën shqipe dhe rrëfen përmes një energjie të jashtëzakonshme tensionet politike dhe romantike, në Paris. Nga njëra anë triumfi i Fransua Holand në zgjedhje dhe nga ana tjetër është vendosur drama familjare e gazetares Leticia.
Aktiviteti është organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” dhe Qendra Muzeore Durrës me mbështetjen e Institutit Francez dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit. Kësisoj banorët e qytetit bregdetar por edhe vizitorët e sezonit veror do të kenë mundësi të shijojnë kinemanë franceze rrethuar nga arkitektura romaken e Amfiteatrit 1800-vjeçar.
Qendra Muzeore Durrës bëri me dije se hyrja në amfiteatër do të jetë e lirë ndërsa shfaqja e filmit do të vijoj çdo të enjte deri në shtator.