Amnistia penale, Alibeaj: Nuk votojmë asnjë pr.ligj ku përfshihen të gjykuarit nga GJKKO

Partia Demokratike nuk do të votojë asnjë projekt ligj nga amnistia penale që përfshin zyrtarë e hetuar nga SPAK dhe të gjykuarit nga GJKKO.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj tha se mirëpret tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja në amnistinë penale të dënuarave për korrupsion nga GJKKO, ndërsa shton se PS ka dakordësinë e PD që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht kohës dhe periudhës në të cilën kanë protestuar.
“Partia Demokratike është e vendosur për të votuar vetëm një Projekt-ligj për Amnistinë Penale, i cili i shërben qytetarëve të thjeshtë dhe të pambrojtur dhe nuk përfshihen në të zyrtarët e hetuar nga SPAK dhe të gjykuar në GJKKO-ja. Të qëndruarit në parime dhe në vlera, për Partinë Demokratike nuk janë kushtëzime, por janë e vetmja rrugë dhe zgjidhje për një amnisti në dobi të njerëzve dhe jo në dobi të të korruptuarëve.
Për ne, gjuha e arrogancës dhe e kërcënimit, është e papranueshme, sepse kemi qenë të qartë dhe vijojmë të jemi në raport me ato që kërkojmë, duke i bërë publike. Partia Demokratike e Shqipërisë nuk kërkon pazar dhe nuk do gjë të votohen ligje tinëzisht dhe fshehurazi, por gjithçka do ta bëjë në transparencë të plotë, ku të prevalojë interesi i publikut.
Ne e mirëpresim tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarave për korrupsion nga GJKKO, duke qenë kjo një mbështetje e pakushtëzuar për institucionet e SPAK-ut dhe të GJKKO-së, dhe japim dakortësinë tonë që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit, pavarësisht kohës dhe periudhës në të cilën kanë protestuar”, tha Aliebaj.
Më herët edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se në këtë amnisti penale nuk përfshihen të dwnuarit nga GJJKKO, por ky ligj shërben vetëm për 5 % të veprave penale dhe për ata që kanë kryer 2/3 e dënimit.
/rtsh.al/