Amnistia penale, Rama: Ligji nuk përfshin krime të rënda

TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi këtë javë projektligjin për amnistinë penale, që parashikon lirimin e menjëhershëm të 447 personave dhe ulje dënimesh për qindra të tjerë.
Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, theksoi se ligji ka ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e sistemit të drejtësisë penale dhe në frymën e saj.
“Ky projekt përfshin lirimin e menjëhershëm të 447 personave nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ulje dënimi për qindra persona të tjerë, aministimin nga masat alternative të shërbimit të proves, si dhe pushimin e ndjekjes penale për vepra penale të lehta”, tha Rama.
Ai shtoi se ligji është një zgjedhje politike e qartë dhe synon orientimin e drejtësisë drejt veprave që paraqesin rrezik real për shoqërinë, duke shmangur përdorimin disproporcional të ndëshkimit penal për raste që nuk e justifikojnë.
“Kjo natyrisht do të sjellë efekt të vetin anësor, por shumë të rëndësishëm edhe uljen e mbipopullimit në burgje, uljen e kostove, por edhe rritjen e investimeve për të rritur cilësinë e jetës në institucionet tona penitenciare”, shtoi ai.
Rama sqaroi se ligji nuk përfshin asnjë vepër të rëndë penale.
“Krime kundër jetës, dhunës, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të përjashtuara nga amnistia”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për të adresuar problemin e paraburgimit.
“Paraburgimi është një plagë e evidentuar më së miri dhe më së qarti nga Komiteti për parandalimin e torturës i Këshillit të Europës. Ne jemi të vendosur që do të ndërhyjmë për ta shëruar këtë plagë me masa të tjera, për të cilat po punojmë me një sërë partnerësh europianë”, tha Kryeministri.
/r.e/