“Anadolu Agency” shënon 12-vjetorin e shërbimit në gjuhën shqipe

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Agjencia Anadolu shënon 12-vjetorin e shërbimit të saj në gjuhën shqipe, duke sjellë për publikun shqiptar zhvillimet kryesore nga Turqia, rajoni dhe bota.
Shërbimi në gjuhën shqipe është një nga shërbimet shumëgjuhëshe të Anadolu-s dhe gjatë këtyre 12 viteve ka kontribuar në forcimin e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit me hapësirën shqipfolëse.
Në këtë rrjet komunikimi informativ bën pjesë edhe bashkëpunimi me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), i formalizuar përmes marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy agjencive. Marrëveshja mundëson shkëmbimin e lajmeve dhe informacionit mes ATSH-së dhe Anadolu-s, duke përmirësuar komunikimin profesional mes dy agjencive dhe duke kontribuar në forcimin e lidhjeve dhe njohjes së zhvillimeve mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Përmes këtij bashkëpunimi, informacioni i prodhuar nga dy agjencitë përcillet tek audiencat përkatëse, duke i dhënë një dimension më të gjerë rolit të agjencive kombëtare të lajmeve si burime të besueshme dhe të verifikuara informacioni, veçanërisht në përballjen me dezinformimin dhe lajmet e rreme. Në një mjedis mediatik ku informacioni përhapet me shpejtësi, agjencitë e lajmeve kanë një rol në vijën e parë për verifikimin, saktësinë dhe shpërndarjen e informacionit të konfirmuar.
Në 12-vjetorin e shërbimit në gjuhën shqipe, ATSH i uron Agjencisë Anadolu suksese të mëtejshme, duke vlerësuar bashkëpunimin mes dy agjencive dhe kontributin e tij në forcimin e komunikimit informativ mes Shqipërisë dhe Turqisë.