Analisti Ismail Tasholli akuzon Albin Kurtin: Rol negativ në gjyqin ndaj UÇK-së – Qeveria shqiptare rol pozitiv dhe mbështetës

Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD, analisti Ismail Tasholli vlerësoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas Tashollit, qeveria shqiptare, dhe në veçanti kreu i saj, ka pasur një rol aktiv jo vetëm në promovimin e protestave në mbështetje të tyre, por edhe në përfaqësime të rëndësishme ndërkombëtare, si në Këshillin e Europës dhe në Parlamentin Europian.
Sipas tij, roli i qeverisë shqiptare ka qenë më aktiv, së paku nëpërmjet deklaratave apo në premisat etnike të artikulimit të saj.
“Ka dhënë më shumë mbështetje përsa i përket këtij problemi. Madje qeveria shqiptare ka bërë hapa përpara në ndërkombëtarizimin e këtij absurdi, aty ku ka pasur hapësirë. Mund të kujtojmë paraqitje të ndryshme në Këshillin e Europës apo në Parlamentin Europian. Pra, gjithmonë ka pasur një përpjekje dhe një angazhim edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që ka qenë një mbështetje morale e vazhdueshme në çdo hap apo protestë që ka organizuar shoqëria jonë në Kosovë. Qeveria e Shqipërisë, me performimin e kryeministrit Rama, në raport me ne, ka qenë një përkrahje e vazhdueshme.”
Përsa i përket rolit të qeverisë së Albin Kurtit në raport me Gjykatën Speciale dhe të akuzuarit e UÇK-së, analisti Tasholli deklaroi se qeveria Kurti, karshi Gjykatës Speciale, ka treguar shumë forma të mungesës së interesit të saj në raport me atë çka po ndodh atje.
“Këtu kam parasysh krahasimin me interesin që ka pasur shteti i Kroacisë, dhe si një mekanizëm i tërë duhet të aktivizohej për të mbrojtur luftën e saj. Këtu tek ne ka qenë një lloj neglizhence dhe herë pas here, aktorë të rëndësishëm të politikës së pushtetit janë artikuluar publikisht me konotacione pezhorative, nënçmuese, për atë që ka ndodhur. Shpesh herë është tallur edhe për mënyrën se si janë zhvilluar ngjarjet. Hera-herës janë nxjerrë jashtë kontekstit për përfitime elektorale.”
Duke kritikuar procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, analisti Ismail Tasholli komentoi duke thënë se, “Qytetarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi tjetër për të qenë pjesë e transparencës, sepse Gjykata Speciale ka qenë e bunkerizuar dhe gjithmonë jemi munduar të artikulojmë pakënaqësinë tonë, sepse institucionalisht e kemi pasur të pamundur që të bëjmë pyetje apo të kërkojmë përgjigje. Ndaj kjo protestë simbolike shërben për të rritur presionin dhe artikulon pakënaqësi në forma të ndryshme. Por, siç duket dhe ne e kemi thënë që në fillim, puna nuk ka nisur mbarë dhe kjo po shkon me shumë probleme, dhe shqetësimet qytetare janë në pikën e vlimit në raport me Gjykatën Speciale dhe mënyrën se si po i trajton këto raste.”
Analisti u shpreh se nuk kemi të qartë ende asgjë për fazën ku ndodhet procesi i gjykimit të krerëve të UÇK-së, sepse ajo gjykatë funksionon jo me transparencë.
“Sipas rrjedhës duket sikur jemi në fazën e fundit, sepse mbrojtja tashmë po paraqet dëshmitarë, sikurse qe dhe James Rubin, që ishte zëri i Shtëpisë së Bardhë në atë kohë dhe lidhja që ka pasur me Hashim Thaçin. Shpresojmë që të jemi afër fundit, sepse ky paraburgim përngjan me një burgosje klasike, sepse kohëzgjatja mund të shpjegohet edhe si shkelje e të drejtave të njeriut.”
Që prej fillimit, kjo gjykatë ka qenë politike dhe jo e fokusuar tek procesi juridik.
/rtsh.al/