E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza/ Profili i ministrave! Si ndryshon qeveria Rama?

Ndryshimet e fundit në qeveri përbëjnë një rikonfigurim të dukshëm të kabinetit. Nga 17 portofolë në strukturën e kabinetit, 6 kanë ndryshuar drejtues, ose 35.3% e qeverisë.

LEXO EDHE: EMRAT/ Shkarkohet Belinda Balluku, 7 ndryshime në qeveri

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ndarja e funksionit të Zëvendëskryeministrit nga portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë. Më herët, ky funksion ishte i përqendruar në një figurë të vetme (Belinda Balluku).

Tashmë kemi një model të ri ku Albana Koçiu merr funksionin e Zëvendëskryeministres ndërsa Enea Karakaçi merr Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo do të thotë se koordinimi qeveritar kalon nga një profil energjetik-politik në një profil administrativ-reformues.

Koçiu vjen nga drejtimi i Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013 – pra 12 vite në krye të reformës së shërbimit civil – ndërsa Karakaçi ka profil teknik në energji dhe rregullim sektorial.

Në 6 ministrat e ndryshuar:

4 nga 6 (66.7%) kanë formim juridik; Karakaçi, Lamallari, Nufi, Ismaili

1 profil diplomatik karriere 30+ vjeçare Ferit Hoxha

1 profil reformë administrative Albana Koçiu

Pra, dominon qartë profili ligjor në bllokun e ndryshimeve.

Dy nga gjashtë lëvizjet (33.3%) prekin drejtpërdrejt sektorin e sigurisë dhe drejtësisë. Këto dy ministri lidhen drejtpërdrejt me kapitujt 23 dhe 24 të integrimit europian, që konsiderohen ndër më të rëndësishmit në procesin e negociatave me BE-në.

Në Ministrinë e Jashtme kemi një ndryshim struktural të profilit ku kalohet nga Elisa Spiropali me profil politik/parlamentar te Ferit Hoxha, diplomat karriere që nga 1991

Hoxha ka qenë ambasador në BE, OKB, Francë, UNESCO dhe ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ. Kjo përfaqëson kalim nga profil politik në profil teknik-diplomatik me mbi 30 vite eksperiencë.

Para ndryshimeve kabineti qeveritar kishte 9 gra dhe 8 burra

Pas ndryshimeve kabineti përbëhet nga 7 gra dhe 10 burra

Megjithatë, poste kyçe si Zëvendëskryeministrja, Ekonomia , Arsimi dhe Shëndetësia  mbeten në drejtimin e grave.

Nga 6 ministrat e ndryshuar 3 prej tyre apo 50% kanë studime ose eksperiencë të gjatë jashtë vendit.

Por çfarë tregojnë këto shifra?

35% e kabinetit ndryshon ku 66.7% e lëvizjeve janë zëvendësime reale

66.7% e ministrave të prekur kanë formim juridic, ndërsa 50% kanë profil ndërkombëtar të theksuar.

Në thelb, kemi një riorganizim që forcon profilin ligjor dhe teknik të kabinetit, ndan funksionin e koordinimit politik nga menaxhimi sektorial në nivel Zëvendëskryeministrie dhe zhvendos diplomacinë drejt një modeli me karrierë profesionale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›