E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e Policisë së Shtetit: Në korrik 51 persona të vdekur në 151 aksidente

Tiranë, 12 gusht, NOA Në analizën njëmujore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë muajit korrik rezultojnë të kenë ndodhur 151 aksidente në rang republike me 51 persona të vdekur, më i rëndi ai i ndodhur në Pukë, shifra këto thuajse të njëjta me të njëjtën periudhë të një viti më parë, megjithë hyrjen e madhe të mjeteve gjatë sezonit turistik, rreth 131 mijë automjete më shumë krahasuar me korrikun e 2009-ës.

Gjatë kësaj analize mbi veprimtarinë e Drejtorisë së Policisë Rrugore, u theksua se deri tani struktura e re ka funksionuar mirë dhe masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore kanë qenë të shumta dhe forca goditëse ndaj shkelësve të Kodit Rrugor ka qenë e madhe, pavarësisht ngjarjes fatkeqe të ndodhur në Pukë gjatë këtij muaji.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ai i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, si dhe drejtuesit e 12 Njësive Rajonale për Sigurinë Rrugore në qarqe, patën në qendër të diskutimeve ecurinë e punës në Drejtorinë e Policisë rrugore dhe funksionimin e strukturës së re, si dhe njohjen e problematikës me të cilën përballet kjo strukturë, në fushën e sigurisë rrugore.

Po ashtu në analizën e Policisë së Shtetit janë evidentuar problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë efektivat e Policisë Rrugore, siç janë përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, shpejtësia tej normave të lejuara, mosvendosja e rripave të sigurimit, etj.

Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë rreth 59.760 masa administrative me gjobë, si dhe janë bllokuar rreth 2017 automjete.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 1784 raste për drejtuesit e automjeteve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka kërkuar në këtë analizë forcimin e punës së strukturave policore në drejtim të parandalimit të aksidenteve si dhe të rritet gjithnjë e më shumë forca goditëse me tolerancë zero ndaj shkeljeve të Kodit Rrugor, që bëhen burim aksidentesh duke marrë jetë njerëzish.

mit/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›