E Diel, 1 Nëntor 2026

Anëtar i bandës së “Babagjyshëve”/ Burgjet kontroll në qelinë e Fatmir Pjetrit në Burrel

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka urdhëruar një kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, i cili vuan dënimin në burgun e Burrelit.

Pjetri njihet si pjesë e bandës së ashtuquajtur të “Babagjyshëve”, ndërsa masa është marrë pas një zhvillimi të papritur në rrjetet sociale.

Shkak për kontrollin është bërë publikimi në profilin e tij në Instagram i një audioregjistrimi, ku Pjetri akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e ka lejuar të botojë një roman të shkruar prej tij, me arsyetimin se përmban akte dhune.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e këtij publikimi dhe mënyrën se si regjistrimi audio është realizuar dhe shpërndarë nga brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

Sipas burimeve zyrtare, kontrolli synon të zbulojë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë dhe nëse janë përdorur mjete të palejuara komunikimi.

Kujtohet se në vitin 2025, Fatmir Pjetri ka tentuar të arratisej nga burgu 313, çka e bën edhe më të ndjeshme situatën aktuale për autoritetet penitenciare.

Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal ‘Babagjyshët’, që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku të maskuar si babagjyshë pjesëtarët e grupit kriminal realizuan grabitjet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›