Anëtari i grupit të ‘Visit të Pojës’ ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë

Ervis Deti, 41 vjeç, pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë.
Procedura është kryer në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ndërsa Deti kërkohet nga autoritetet italiane për një çështje të lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas Policisë së Shtetit, autoritetet gjyqësore në Bari, Itali, i kanë caktuar në vitin 2025 Ervis Detit masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Deti ishte arrestuar në Shqipëri gjatë operacionit “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane për goditjen e një organizate të dyshuar për trafik droge mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gjykata e Tiranës kishte miratuar nisjen e procedurave për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Sipas të dhënave të publikuara pas operacionit “Ura”, Deti dyshohet se ka pasur rolin e transportuesit të lëndëve narkotike.
Në dosjen italiane përmendet një episod ku ai dyshohet se ka dorëzuar në Bari një sasi prej 2 kilogramësh heroinë, e cila kishte mbërritur nga Shqipëria.
Emri i Ervis Detit është lidhur nga autoritetet me grupin e “Visit të Pojës”, në kuadër të hetimeve për trafikun e narkotikëve drejt Italisë.
Me ekstradimin e tij, Deti do të përballet me procedurat gjyqësore në Itali për akuzat që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.
Ai konsiderohet i dyshuar për veprat për të cilat është kërkuar nga drejtësia italiane, deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.