Anëtarsimi i Shqipërisë në BE/ Marta Kos: Zgjerimi po ecën përpara, siguria kusht për anëtarësimin

Shqipëria shënon të martën një tjetër hap në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në Luksemburg do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e përkohshme e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale.
Drita jeshile është dhënë nga përfaqësuesit e shteteve anëtare në COREPER. Shqipëria është në prag të mbylljes së kapitullit të katërt brenda tre muajve, pas atyre për Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën, si dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos njoftoi se në ditët në vijim janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare, me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke e cilësuar këtë si një dëshmi se zgjerimi i Bashkimit Europian po ecën përpara.