Anija me mbejtje mbërrin në Durrës, prokuroria vendos sekuestrimin e 102 kontejnerëve

Anija turke “Moliva” që transportonte 2100 ton me mbetje të cilat dyshohet të jenë të rrezikshme u ankorua sot në radën e portit të Durrësit. Sipas një vendimi të prokurorisë së Durrësit ndaj kontejnerëve është vendosur masa e sekuestrimit. Në vendimin për sekuestrim të Prokurorisë theksohet se bëhet fjalë për 102 kontejnerë.
“Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre. Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Durrës”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara. përfaqësuesi i kësaj organizate ishte sot në Durrës për të ndjekur nga afër ngjarjen.
“Është fillimi i kësaj problematike që e denoncuam. Është lajm i mirë që prokuroria vendosi sekuestro ndaj kontejnerëve. Ne kërkojmë që ata të ruhen mirë dhe autoritetet shqiptare të na lejojnë që ne të marrim mostra të këtyre mbetjeve dhe së bashku të kryejmë analiza në tre laboratorë të ndryshëm”, tha Jim Puckett, themelues dhe drejtor i Rrjetit të veprimit të Bazelit.
Pas analizave Rrjeti i Bazelit kërkon që mbetjet të trajtohen në një landfill të specializuar jashtë vendit, pasi Shqipëria nuk e ka një të tillë.
“Ne shpresojme qëe ky proces të shkoje mirë dhe në përfundim të analizave duhet që mbetjet në fjalë të dërgohen dhe trajtohen në një landfill të specializuar. Ne e dimë që Shqipëria nuk e ka një të tillë, por autoritetet duhet të gjejnë një landfill ku trajtohen mbetje të tilla dhe t’i çojnë aty”, shtoi ai.
Pluhuri përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë ndotje te larte te rrezikshme per shendetin. Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti e kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.
Nje dite me pare opozita organizoi një protestë, pranë portit të Durrësit duke kerkuar largimin e mbetjeve. /vizionplus.tv