Ankesat qytetare/Komisioni për Nismat Qytetare, kritika për zgjidhjet e vonuara

Vonesat në shërbimet publike dhe ankesat e përsëritura të qytetarëve u diskutuan në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Kreu i komisionit, Fatmir Xhafaj, kërkoi nga drejtori i Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Angelo Koleka, të dhëna mbi mënyrën se si trajtohen ankesat dhe nëse qytetarët marrin një zgjidhje përfundimtare.
“Sa raste, ankesa të tilla keni nga qytetarët dhe sa prej tyre i keni çuar deri në fund? Sepse, me sa kuptoj unë, ju thjesht bëni transferimin e ankesës, por cili është suksesi i kësaj? Cili është efekti? Ju nuk e merrni më pas përgjigjen”, u shpreh Xhafaj.
Koleka tha se agjencia u përgjigjet ankesave brenda 10 ditëve, por zgjidhja e tyre shpesh varet nga institucionet përgjegjëse. Sipas tij, problematikat më të mëdha lidhen me Kadastrën, Agjencinë e Trajtimit të Pronave, shëndetësinë dhe gjendjen civile.
“Brenda 10 ditëve, maksimumi, japim përgjigjen. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia e Trajtimit të Pronave, shëndetësia, veçanërisht pjesa e QSUT-së, që është problematike, si dhe pjesa e gjendjes civile”
Deputeti Gjin Gjoni pyeti gjithashtu për takimet e deputetëve me qytetarët dhe nëse problematikat e ngritura prej tyre raportohen pranë agjencisë. Koleka u shpreh se këto takime nuk janë në kompetencën e tij dhe se nuk ka pasur raportime nga deputetët.
“Këta deputetët të cilët bëjnë takime çdo ditë të të premte në orën 5:00 raportimet duhet t’i drejtojnë te agjencia”, tha Gjoni.
“Pas hyrjes në Albania, do të jetë një platformë online dhe, duke qenë një platformë online, automatikisht është pjesë e monitorimit të SqDNE-së. Pastaj, sa i takon pjesës së takimeve që bëjnë deputetët, kjo është jashtë kompetencave të mia”, theksoi Koleka.
Diskutimi u mbyll me nevojën për më shumë përgjegjësi institucionale, veçanërisht në rastet kur ankesat përsëriten dhe qytetari nuk merr një zgjidhje përfundimtare.
/rtsh.al/